“Drafti për Federatë do të shqyrtohet”, Braimllari: Qëllimi kryesor i opozitës është të ketë të drejtën e saj Kushtetuese!

schedule18:28 - 5 Dhjetor, 2023

schedule 18:28 - 5 Dhjetor, 2023

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari në një intervistë në “Special Report” foli për tensionet që kanë shoqëruar në seancat e fundit Kuvendin, si pasojë e bllokimit të punës nga ana e opozitës.

Braimllari gjatë kësaj interviste theksoi nuk është opozita ajo që ka problemin me drejtësinë, por sipas tij është kryeministri Rama që bën shantazh ndaj një organi të drejtësisë. Gjithashtu shtoi së Partia e Lirisë e mbështet aksionin e opozitës.

“Situata është agravuar për shkak të mungesës së respektimit të ligjit. Kemi një mazhorncë që ka marrë peng Kushtetutën e vendit. Shohim përpjekje për të bllokuar përfaqësuesit që të mos marrin pjesë në Komisionet. Nga kjo mazhorancë kemi parë çmenduri, kemi parë t’i mbajnë peng partisë demokratike vulën. Aksioni opozitar duhet të jetë i qëndrueshëm, sa i përket këshillave bashkiakë duhet të propozojë alternative, po ashtu një aksion opozitar në terren. Qëllimi kryesor i opozitës është të ketë të drejtën e saj Kushtetuese. Çfarë e pengon Edi Ramën t’i japë të drejtën e ngritjes së Komisioneve Hetimore? Por e mohon sepse është i përfshirë në këto situata. Janë përpjekje të Edi Ramës për ta vendosur opozitën në cep”, u shpreh Braimllari.

Më tej theksoi se çdo zë opozitar i bën mirë opozitës, duke shtuar se çdo sinjal për bashkim opozitar që janë në luftë me regjimin që instaloi Edi Rama në këtë vend është për t’u vlerësuar.

“Kemi parë se si bllokohen zyrat ku deputetët kanë të drejtën për të shkuar në punën e tyre të përditshme. Opozita duhet të ndërmarrë aksione konkrete për alternativën e qeverisjes së nesërme. Protesta është një element i domosdoshëm, në një aksion opozitar gjëja e parë që vihet në dukje është roli dhe kërkesa e deputetëve të opozitës”, tha ai.

Propozimi për formimin e Federatës opozitare:

Endrit Braimllari: Vlerësojmë çdo përpjekje serioze për të pasur një bashkim kundër së keqes. Çdo përpjekje që shkon krahas interesit opozitar dhe në shërbim të qytetarëve e vlerësojmë. Ka një komunikim publik dhe ne vlerësojmë çdo përpjekje serioze për bashkim dhe që lufton kundër keqqeverisjes, dialogu është i hapur dhe gjithçka vlen për t’u parë. Çdo sinjal për bashkim opozitar që janë në luftë me regjimin që instaloi Edi Rama në këtë vend është për t’u vlerësuar. Kuvendi i 2 dhjetorit është çështje e brendshme e PD. Gjykoj që sot përballë kemi një parti shtet një regjim autokrat që kërkon një front sa më të gjerë të çdo faktori opozitar, kundër. Çdo zë opozitar i bën mirë opozitës

/abcnews.al/