Doza e katërt e vaksinës kundër Covid 19, në rajon jepet, në Kosovë s’ka interesim

schedule12:25 - 4 Maj, 2022

schedule 12:25 - 4 Maj, 2022

Ndonëse vendet e botës dhe të rajonit kanë filluar të japin rekomandime për marrjen e dozës së katërt të vaksinës kundër Covid-19, Kosova nuk e ka ende në plan ta bëjë një gjë të tillë. Kjo pasi sipas MSh-së, s’ka pasur interesim të mjaftueshëm as për marrjen e dozës së tretë të vaksinës.

Kosova ende nuk e ka në plan që të rekomandojë marrjen e dozës së katërt të vaksinës kundër Covid-19. Kjo pasi sipas Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht është sfidë marrja e dozës së tretë të vaksinës, pasi qytetarët kanë treguar interesim të ulët për të u imunizuar me këtë dozë.

Në një përgjigje për Express, nga MSh kanë thënë se është diskutuar edhe për dozën e katër, porse nuk ende ndonjë rekomandim për marrjen e saj.

Tani sic thonë ata në fokus kanë rritjen e shkallës së vaksinimit me dozën e tretë.

“Aktualisht sfidë për procesin  e vaksinimit kundër COVID-19 është marrja e dozës së tretë, sepse vetëm rreth 102,000 qytetarë janë vaksinuar me dozën e tretë. Në komitetin e imunizimit kundër COVID-19 është diskutuar edhe për dozën e katërt dhe kategoritë të cilat eventualisht do të mund të rekomandoheshin për marrjen e saj, por nuk ka ende një rekomandim për marrjen e saj, meqë, siç u tha edhe më lart, fokusi është tani për tani te rritja e shkallës së vaksinimit me dozën e tretë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Express.

Në ndërkohë, Shqipëria tashmë ka filluar që të thërras qytetarët mbi moshën 60-vjeçare që të vaksinohen me dozën e katërt.

Komiteti Teknik i Ekspertëve javën e kaluar ka rekomanduar që të moshuarit që kanë kaluar 4-6 muaj nga marrja e dozës së tretë të vaksinës të paraqiten për marrjen e dozës së katër sipas rekomandimit të mjekut.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje sot të gjithë qytetarëve që të marrin dozën e tretë dhe atë përforcuese për Ciovid-19.

“Doza përforcuese e vaksinës Covid-19 mund të përmirësojë ose rivendos mbrojtjen kundër COVID-19, e cila mund të jetë ulur me kalimin e kohës. Besojuni fakteve dhe merrni edhe dozën përforcuese!”, thuhet në njoftimin e MSh-së./Express