Dosja “Partizani”, mbyllet hetimi/ Rada: Berisha, figurë problematike për gazetarët! Elezi: Ish-kryeministri ka shkelur Kushtetutën!

schedule23:45 - 23 Shtator, 2024

schedule 23:45 - 23 Shtator, 2024

Ish-kryeministri Sali Berisha do të njihet zyrtarisht të mërkurën me përfundimin e hetimeve për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Ish-kryeministrit në 11 shtator iu komunikua edhe akuza e korrupsionit pasiv, ndërsa SPAK ka njoftuar edhe Jamarbër Malltezin për tu njohur të mërkurën me aktet e dosjes dhe mbylljen e hetimeve.

Gazetari Ardit Rada në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News foli për dosjen “Partizani” duke u ndaluar edhe tek qëndrimet e ashpra dhe kërcënimet e Berishës.

Ai u shpreh se kërcënimet e ish-kryeministrit Sali Berisha, ndaj gazetarëve lidhur me dosjen “Partizani”, janë serioze. Ai tha se Berisha e ka mbajtur pushtetin e tij përmes frikës.

“Nuk mendoj se është Berisha ai që lejohet apo jo të publikojë. Sa i përket kërcënimeve nuk ka asgjë për t’u habitur. Bëhet fjalë për standardin që ky njeri vazhdon të mbajë në politikë apo shembulli që vazhdon të përcjellë. Raportet e këtij njeriu me mediat janë të çuditshme, por janë edhe të frikshme”, tha gazetari.

Ndërkohë Ibsen Elezi gjatë fjalës së tij nënvizoi se ish-kryeministri Berisha ka shkelur Kushtetutën dhe se sipas tij, nuk pranon rivalë brenda PD-së.

“Një pjesë e mirë e njerëzve në PD duke mos e njohur rrugën e përballjes mendonin se do ta mundnin zotin Berisha duke marrë vulën, por një gjë e tillë nuk funksionon. Berisha nuk mund të krijonte një kulturë të re brenda partisë”, tha ai.

Më tej Elezi u ndal tek situata në Partinë Demokratike, pasi prezantimi i Agron Gjekmarkajt, si drejtues Politik i Lezhës, u përball me refuzim nga demokratët e degës së Lezhës.

“Ky është mekanizmi. Dhe kur ballafaqimi shkon ballë për ballë edhe reagimi do të jetë i ashpër. Por mos reagimet në kohë për shkeljet që kanë ndodhur, këtu do ta çonin situatën. Nuk shtrohet problemi për konsum, por për diskreditim politik. Një ndër kërkesat e forta që kam pasur ka qenë “prerja e duarve” e të gjithë atyre që kanë vjedhur vota. Këto janë në një “amulli” dhe besoj se këtë herë i gjithë elektorati i djathtë do të marrë një shuplakë të fortë nga demokratët”, tha më tej Elezi.

/abcnews.al/