Dorëhiqet gjyqtari i Gjykatës së Apelit Alaudin Malaj

schedule12:18 - 27 Korrik, 2020

schedule 12:18 - 27 Korrik, 2020

Jep dorëheqjen nga detyra gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj.

Mësohet se kërkesën e ka dërguar në KLGJ ndërsa shkaqet e paraqitjes së dorëheqjes janë një marrëdhënie tjetër pune, e cila sipas tij fillon në datën 1 gusht 2020.

Gjyqtari i Apelit Alaudin Malaj më herët ka paditur pranë Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit komisioneren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Suela Zhegu.

Malaj e akuzoi komisioneren për falsifikim formularësh, duke kërkuar pezullimin e ushtrimit të detyrës si Komisionere e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri në përfundim të hetimeve.

Gjyqtari në kallëzimin pranë SPAK, deklaroi se Suela Zhegu kishte përvetësuar pasurinë e të vëllait të ndjerë, duke pretenduar se ai nuk ka fëmijë, pavarësisht se i ndjeri kishte dy pasardhës.

Malaj theksoi se edhe bashkëshorti i Suela Zhegut kishte probleme me drejtësinë.

Gjyqtari i apelit, të Tiranës, dikur edhe kryetar i saj, ende nuk i është nënshtruar procesit të vettingut.

Ai ka qenë gjyqtar në çështje të rëndësishme.

Pak kohë më parë në një letër drejtuar Këshillit të Lartë gjyqësor kërkoi mbrojtje fizike pasi jeta e tij dhe ajo e familjarëve ishte në rrezik.

Gjyqtari Malaj tha në atë kohe se në vitin 2015 vëllai i tij është kërcënuar me jetë, çështje kjo që sipas tij nuk u hetua kurrë.

Lidhur me një sërë ngjarjesh të ndodhura me të dhe familjarët e tij, gjyqtari Alaudin Malaj, thotë se mungesa e reagimit ndaj kallëzimeve të ndryshme ka ardhur për shkak të ndikimit të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Alaudin Malaj, është gjyqtari që bëri publik vendimin e dënimit në Itali të Geron Xhafës, vëllait të ish- ministrit të Brendshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!