“Dorëheqja e Kovaçevskit, detyrim ligjor”, Mehmeti: Vizita e Pendarovskit në Prishtinë, zbutje e raporteve mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

schedule16:29 - 25 Janar, 2024

schedule 16:29 - 25 Janar, 2024

Këtë të enjte, kuvendi i Maqedonisë së Veriut në një njoftim zyrtar konfirmoi se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë procesit për formimin e një qeverie teknike.

Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, analisti Ibrahim Mehmeti e ka konsideruar dorëheqjen e Kovaçevskit një detyrim ligjor.

 “Dorëheqja e tij është obligim sepse ne kemi një ligj përpara zgjedhjeve. Ky post ka qene disi i rezervuar dhe nuk ka pasur nevojë as për diskutime.

Sigurisht që i ka shumicat e votave dhe mosvotimi i VMRO është një distancim politik. Edhe pse kjo parti është pjesëmarrëse në ndërtimin e këtij ligji, kanë dashur të japin një mesazh me këtë veprim.

Kryetari i Kumanovës nuk është në parlament dhe nuk ka të drejtë vote. Besoj që gjithçka do të shkoj ashtu siç është planifikuar në dorëdhënien e mandatit të qeverisë”.

Më tej, sa i përket vizitës së Pendarovskit në Prishtinë, Mehmeti e konsideroi si një zbutje mes raporteve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas analistit, kjo është një përpjekje për përmirësimin e raporteve me partitë shqiptare.

“Mendoj që tendenca është që të zbuten raportet me qeverinë e Kosovës. Kishte një paralajmërim nga VetëVendosja se do të formojnë parti këtu në Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk do të ndodhë. Mendoj që është një përpjekje nga kryetari që i mbaron mandati, që të përmirësoj marrëdhëniet përmes partisë së VetëVendosjes dhe Maqedonisë së Veriut. Kështu do të ishte një përpjekje për përmirësimin e raporteve me partitë shqiptare. Pasi siç vihet re, mendoj se ai ka në plan të kandidojë për një tjetër mandat”./abcnews.al