Dominojnë kushtet e qëndrueshme atmosferike, temperatura deri në 35 gradë

schedule07:13 - 31 Gusht, 2024

schedule 07:13 - 31 Gusht, 2024

Territori shqiptar, në pjesën më të madhe të tij, pritet të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike përgjatë gjithë 24 orëshit, duke bërë që intervalet e gjata me diell të jenë mbizotëruese në orët e para të ditës në zonat bregdetare.

Ndërsa pjesa tjetër e vendit tonë do të jetë me alternime kthjellimesh dhe kalime të pakta të vranësirave. Por parashikohet që gjatë pasdites vranësirat të shtohen në pothuajse të gjithë territorin, ku vranësirat më të fokusuara do të jenë në shtrirjen Lindore duke rrezikuar për momente të pakta me pika shiu.

Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes, por do të rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 13°C vlera minimale deri në 35°C vlera maksimale.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi Perëndimore – Veriperëndimor, për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.

Kosova

Deri në orët e mesditës e gjithë Republika e Kosovës do të jetë me intervale të gjata kthjellimesh dhe kalime vranësirash. Parashikohet që kthjellimet më të dukshme të jenë në zonat Jugore dhe Qendrore, ndërsa në pjesën tjetër të vendit vranësirat do të jenë më të theksuara. Por pritet që në pjesën e dytë të ditës vranësirat të shtohen në të gjithë Kosovën, ku më të fokusuara do të jenë në zonat Veriore dhe pjesërishtë në zonat Perëndimore duke gjeneruar reshje të izoluara shiu. Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes, por do të rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 11°C deri në 30°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi deri në 28 km/h përgjatë gjithë ditës nga drejtimi Perëndimor.

Maqedonia e Veriut

Orët e para të ditës dhe mesdita në Maqedoninë e Veriut parashikohet të jenë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke sjellë intervale të gjata me kthjellime në shtrirjen Perëndimore dhe në zonat qendrore. Ndërsa zonat Lindore do të kenë kalime të shpeshta vranësirash. Por pas mesdite pritet që vranësirat të shtohen gradualisht në të gjithë vendin, duke bërë që në zonat Veriperëndimore dhe Jugperëndimore të sjellin reshje të izoluara dhë të pakta shiu. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të ulen në vlerat minimale, por rriten lehtë maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga 10°C vlera minimale deri në 32°C vlera maksimale në rang vendi. Ndërkohë era do të fryjë mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë edhe 33 km/h nga drejtimi Veriperëndimor.

Europa

Brigjet e Egjeut dhe Europa Jugperëndimore parashikohet të jenë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, duke sjellë vranësira të shpeshta të cilat do të pësojnë zhvillime dhe do të gjenerojnë rrebeshe shiu. Po ashtu me mot të vranët dhe me reshje shiu parashikohet të jetë Europa qendrore dhe gadishulli Skandinav. Ndërsa me vranësira të shpeshta, por pa reshje pritet të jetë Britania e Madhe dhe pjesa më e madhe e Lindjes së kontinentit. Gjithashtu një pjesë e mirë e rajonit të Ballkanit do të jetë me alternime kthjellimesh dhe kalime të shpeshta vranësirash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!