Dolor Bakalli është nga ata mjeshtrat e rrallë në vendin tonë që gjithë jetën i ka dhënë formë gurit. Simbole të historisë pellazgo -ilire, po ashtu simbolet kombëtare, historia e Korçës prej fillesës, apo aspekte nga Mitologjia, janë motivet që sheh të ekspozuara në galerinë e mjeshtrit.
Prej 45 vitesh, jeta e Dolor Bakallit, sillet midis gurëve, daltës dhe çekanit, duke transformuar gjithçka i prek dora. Me pasion të pashterrë gdhendjen e gurit e konsideron zanat, profesion dhe art bashkë, që përjetëson më të çmuarën e traditës historike dhe kulturore të zonës.
Mjeshtërinë për të përdorur daltën, të “vjedhur “e ka qysh nga fëmijëria prej magjistarëve të gurit, korçarë dhe polenakë.
Goditja e daltës mbi pllakën shekullore, ndihet e butë, e njëtrajtshme dhe melodike, çfarë bën që motivet të formësohen harmonishëm dhe me saktësi,që nuk le vend për gabime.
Simbole të historisë pellazgo -ilire, po ashtu simbolet kombëtare, historia e Korçës prej fillesës, apo aspekte nga Mitologjia, janë motivet që sheh të ekspozuara, sapo hyn në galerinë e mjeshtrit, që ndodhet në zemër të Pazarit, sot rivitalizuar dhe kthyer në atraksion turistik.
Vizitorë nga qytete të tjera dhe sidomos të huajt zgjedhin suveniret historike, ndërsa vendasit, interesohen më tepër për dekoracionin dhe arredimin e ambienteve të shtëpive.
Ashtu si kujdeset që dalta t’i bindet lëvizjeve të dorës me të njëjtin kujdes, mjeshtri zgjedh edhe gurët të fortë, kompaktë dhe solidë, pasi vetëm të tillë mund të durojnë goditjet e daltës. Nga mali i Moravës merr gurët e zinj, nga Mali i Thatë, ata me ngjyre korale, ndërsa pllakat mbi pesë shekullore,të dala pas restaurimit të Pazarit, janë më të preferuarat, për Dolorin, që hulumton gjithandej për të gjetur, me çfarë motivesh, do t’ju japë frymë,me teknikën e tij, plotësisht artizanale. /abcnews.al
Gazetare e ABC News, Korçë: Daniela Zisi