“Dolëm me kokën lart”, Sylvinho: Bëmë mjaft mirë, kemi treguar rritje

schedule23:44 - 24 Qershor, 2024

schedule 23:44 - 24 Qershor, 2024

“Legjionarët” e Kombëtares sonë kanë dalë jashtë çdo pritshëmire mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa në “Merkur-Spiel Arena”, të Dyseldorfit janë mundur me rezultatin minimal, 1 me 0, nga “Furia e Kuqe” spanjolle, duke mbyllur përfundimisht aventurën e tyre, në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024.

Një koment pas kësaj sfide e bëri edhe trajneri i Kombëtares sonë, Sylvinho, i cili vlerësoi paraqitjet e skuadrës kombëtare në duelet ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

“Sigurisht që dalim me kokën lart. Ishim në grupin e vdekjes, në një grup me kampionë Europe dhe Bote. Jam i trishtuar për rezultatin, por kemi bërë mirë në të tri ndeshjet. Kemi luftuar gjithmonë deri në fund.

Kemi arritur në një pikë të rëndësishme në këtë Europian. Të gjithë 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Por edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë kanë bërë mjaft mirë. Të gjithë prisnin të humbnim nga 3-0 apo 4-0, por kemi qenë gjithmonë aty në të tri ndeshjet duke luftuar.

E ardhmja? Është Nations League dhe më pas eliminatoret e Kupës së Botës. Falënderoj Federatën, gjithë stafin dhe gjithë njerëzit me të cilët kemi punuar. Kemi bërë gjëra të mirë, kemi treguar rritje. Është e rëndësishme të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë sërish emocionet e Europianit dhe Botërorit”,- u shpreh strategu brazilian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!