Ndonëse afër të 90-ave, piktori i njohur, Hasan Nallbani nuk harron asnjë moment që ka shënjuar jetën e tij. Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ka treguar se kur ishte i ri ka dashur të bëhej mjek, pasi ka pasur rezultate të shkëlqyera në mësime. Mirëpo, nuk i dhanë të drejtën e bursës dhe fillimisht ndoqi studimet për pedagogji.
Më pas, Nallbani zbuloi se një profesor e shtyu që të konkuronte për pikturë, ku dhe fitoi
“Unë mbarova shkollën 8-vjeçare atëherë, isha mirë me mësime, doja të bëhesha mjekë, inxhinier, por nuk pata mundësi se nuk më dhanë të drejtë studimi. Se nuk ishte kollaj ta merrje atë të drejtë, dikush e merrte, dikush jo, edhe pse mund të ishte i mirë me mësime. Edhe ç’bëra unë? U futa në shkollën pedagogjike, që ishte për të nxjerrë mësues dhe bëra një vit atje. Por ndërkohë që isha në shkollë, bëra dhe detyrat e vizatimit. Mësues ishte një piktor nga Shkodra, Vladimir Jani, një burrë i gjatë, simpatik, shumë i mirë. Edhe më thotë: ‘Po ti ç’bën këtu?’. ‘Shkollë’, i them.
-Do mbarosh këtë shkollë, do shkosh në Skrapar, do jesh andej mësues, do vuash. Ti bëhesh piktor. Do shkosh të bësh konkurs atje dhe me siguri që ti fiton, më tha.
Edhe unë ashtu bëra. Unë kam dashur të bëhem fillimisht mjek dhe kjo vinte se unë kisha rezultate të mira në mësime. Shiko, në pikturë janë futur dhe shumë mediokër, por intelekti është një faktor shumë i rëndësishëm. Sepse piktura nuk është thjesht një zanat, që ti mëson si të bësh një pikturë, ose një zanat, piktura është shumë më tepër sesa aq, është një mision që i vë vetes për të ndërtuar një histori, një program”, rrëfeu piktori./abcnews.al