Dogjën stallën e bagëtive në Vaun e Dejës, zbardhet ngjarja ku u kërcënuan efektivët e Policisë

schedule10:27 - 11 Shkurt, 2023

schedule 10:27 - 11 Shkurt, 2023

VAU I DEJËS- Policia ka zbardhur ngjarjen e Vaut të Dejës ku dy persona dogjën një stallë bagëtish dhe në përpjekje për t’u larguan kërcënuan me jetë edhe efektivët. Mësohet se sherri ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin autorët me vëllain e pronares së stallës.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e kaluar, një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e quajtur Fshat i Ri në bashkinë e Vaut të Dejës. Dy persona, dyshohet se i vunë flakën një magazine me bagëti, me qëllim hakmarrjen. Pas marrjes së informacionit, policia shkoi menjëherë në vendngjarje, dhe referuar dëshmisë së pronares së magazinës, si autorë të dyshuar ishin Afrim Sadik dhe Pjetër Dragoti.

Pasi u vu në ndjekje të tyre, blutë e Shkodrës arritën t’i ndalonin dy autorët e dyshuar në fshatin Rranxa. Në momentin po bëhej ndalimi i tyre, Sadik dhe Prendi kanë dhunuar fizikisht punonjësit e policisë, i kanë kërcënuar me jetë si dhe kanë tentuar t’iu marrin automjetin. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbime mbështetëse, duke bërë të mundur arrestimin e dy autorëve të dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës, Shkodër

Dogjën një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, kundërshtuan me dhunë dhe kanosën për vrasje punonjësit e Policisë, arretohen në flagrancë dy 26-vjeçarë nga Bushati i Shkodrës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës, kishte rënë zjarr në një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, menjëherë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes.

Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për 2 shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes, kanë lokalizuar në fshatin Rranxa, një automjet me të cilin po qarkullonin 2 shtetas dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Në momentin e ndalimit, shtetasit A. S. dhe P. D. kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë kanosur për vrasje punonjësit e Policisë, por falë reagimit të punonjësve të Policisë, ata janë neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë.

Në përfundim te veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasit A. S., 26 vjeç dhe P. D., 26 vjeç, të dy banues në Bushat, Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, në Fshatin e Ri, në Vaun e Dejës, në pronësi të shtetases Z. Gj.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!