Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit ka paralajmëruar masa të reja të forta në lidhje me ndërtimet dhe menaxhimin e hapësirës publike në vend.
Kreu i qeverisë tha se për çdo ndërtim me leje do të caktohet një inspektor përgjegjës, i cili do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo shkelje.
Rama theksoi se nuk do të tolerohen më abuzimet dhe zaptimet e hapësirave publike, duke sqaruar se ato nuk janë domosdoshmërisht prona shtetërore, por shpesh prona private të pazhvilluara që mirëmbahen si hapësira të përbashkëta. Sipas tij, çdo veprim ndërtimor pa lejet e nevojshme do të ndalohet dhe për ndërtimet e reja, ndarja e pronës do të bëhet vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të ligjshme dhe kontributit real.
“Për çdo ndërtim me leje do të ketë inspektor përkatës dhe të gjitha paçavuret nuk do të jenë më të mundura, sepse do të dënohet inspektori drejtpërdrejt. Nuk do të ketë më inspektime injorantësh, por të drejtpërdrejta. Këto janë hapa të mëdhenj, për dalë përballë këtyre fenomeneve. Zaptimi i hapësirës publike lidhet edhe me një keqkuptim shumë të madh të një numri shumë të madh njerëzish edhe në administratë. Hapësira publike nuk është domosdoshmërisht pronë-shtet, mund të jetë dhe një pronë private e pazhvilluar. Është një pronë që mirëmbahet nga shteti si hapësirë publike. Nuk mund të thuash ti që në mes të Tiranës është toka ime, vendos traun dhe u merr lekë qytetarëve. Këto janë realitete nuk janë në mënyrë hipotetike. Edhe pse mund të kesh një certifikatë pronësie, s’bën dot lopë, e pula, sepse është një hapësirë e përbashkët. Inovacion. Nëse nuk disponon lejet ti nuk bën dot asgjë. Ndërsa për pallatet e reja as që nuk bëhet fjalë fare, nëse ke bërë një marrëveshje të shfrytëzimit të pronës, ajo që takon ty është vetëm se çfarë merr nga ndërtimi, të tjerat u takojnë të gjithëve. Është logjika elementare e qytetit”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

