Do thuash ndonjëherë është faji im? Rama: Vetëm ndjesë mund të kërkoja, përgjegjësia individuale

schedule12:12 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 12:12 - 30 Dhjetor, 2021

Në konferencën e fundit për këtë vit me gazetarët, kryeministri Edi Rama theksoi edhe njëherë se nuk do të mbrojë askënd që ka probleme me drejtësinë, në radhët e tij.

I pyetur nga gazetarja e ABC, Esiona Konomi, nëse do të thotë në ndonjë rast kryeministri “po ky është faji im”, duke i kujtuar kryebashkiakun dhe ministrin e tij pas hekurave si dhe skandalet me të dhënat, Rama dha sërish të njëjtën përgjigje.

Sipas shefit të qeverisë, përpjekjet e tij po funksionojnë, duke mos ndjerë kështu peshë faji, ndërsa theksin e vë te reforma në drejtësi.

“E para e punës njëherë ato që ju i konsideroni arsye po ky është faji im për mua janë arsye për t’ju thënë po përpjekjet e miat dhe tonat po funksionojnë. Përndryshe për çfarë e kemi bërë ne reformën. Rastet janë individuale, deri kur fajësia të gjykohet çdokush është i pafajshëm. Kjo është çështje e individëve jo e imja. Çështja e imja është se nëse SPAK po jep shenja të qarta unë jam krenar për këtë.

Nga ana tjetër t’ju them se po përgjegjësia është shumë individuale. Çdokush që merr një detyrë zgjidhet për 1 mijë arsye që nuk bien në momentin kur gjenden në faj. Por ama në atë moment ai është vetëm, cilido qoftë”,- tha Rama.

Duke u ndalur te patronazhistët, Rama theksoi sërish se ato të dhëna që u publikuan nuk ishin të Partisë Socialiste.

“Patronazhistët, nga e nxirrni ju këtë , me çfarë të drejte? Kur jo vetëm unë, por edhe të gjitha hetimet e bëra kanë nxjerrë që nuk është baza e të dhënave të PS, por një bazë e miksuar me të dhëna të vjedhura nga PS. Nuk kemi ne numra ID në regjistër e patronazhit. Nga del kjo tani? Duhet që unë të them është faji im, për çfarë. Ndërkohë dalja e të dhënave mbi pagat është shumë e shëmtuar. Por nga ana tjetër më ndihmoni ju nëse ma gjeni një rast, unë nuk di ndonjë vend demokratik me standarde, ku nxjerrja e  të dhënave, ku ka ndodhur që për këtë ti drejtohet gishti kryetarit të shtetit. Amerikës i dolën rrugëve të dhënat e DASH, morën dhen. Dini ju gjë që të ketë marrë përgjegjësi  ndonjë sekretar i shtetit”, -deklaroi kryeministri.

Kreu i qeverisë kujtoi se më 9 janar vjen në Shqipëri një grup nga SHBA, me të cilin tha se do të nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e sistemit të mbrojtjes së të dhënave. Në fund Rama ndalet sërish tek faji, teksa thotë se aj që mund të bënte ishte vetëm të kërkonte ndjesë, ndërsa shton se përgjegjësia është vetëm individuale

“Në 9 janar vjen grupi amerikan që ka bërë çudira dhe shpresojmë që të kemi marrëveshje me ta dhe ta forcojmë sistemin. Unë ju kërkova ndjesë qytetarëve. Ajo që  mund të bëj është reagimi për të nxjerrë mësime dhe për t’i përmirësuar gjërat. Kurse për drejtësinë sa herë do të dëgjoni goditje nga drejtësia aq herë do të dëgjoni që unë ndjehem mirë. Reforma në drejtësisë nuk është politike, por një vizion dhe vullnet, një qëllim i madh i imi për t’i lënë Shqipërisë këtë vepër”, -deklaroi Rama. g.v/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!