Pas barazimit 2 me 2, ndaj Zvicrës, “dardanët” e Kosovës do të përballen mbrëmjen e së martës me Rumaninë, në “Arena Nationala” të Bukureshtit, në një përballje që pritet të tregojë më shumë mbi të ardhmen e “të kualifikuarve” në grupin I.
I pranishëm së bashku me teknikun Primozh Gliha në konferencën për shtyp të sfidës në prag të përballjes ndaj Rumanisë ishte dhe anësori i mbrojtjes, Mërgim Vojvoda, i cili theksoi se objektivi kryesor në Bukuresht është arritja e 3 pikëve.
“Rumania ka një ekip shumë të mirë, këtë e kemi parasysh. Mirëpo, ne do të japim gjithçka nga vetja për rezultat pozitiv dhe të tentojmë të sigurojmë kualifikimin në Evropian.
Skuadra kundërshtare? E di që keni shumë cilësi dhe lojtarë të mirë, por ne jemi gati. Ne do të fokusohemi në lojën tonë. Nuk frikësohemi nga publiku, pasi vijmë nga ekipet e mëdha dhe jemi mësuar me gjëra të tilla”,- u shpreh anësori i “dardanëve”. /i.m /abcnews.al