“Do të na mungosh Fioralb”, nxënësit e shkollës përkujtojnë shqiptarin që humbi jetën në Kanada

schedule17:44 - 25 Gusht, 2018

schedule 17:44 - 25 Gusht, 2018

Fioralb Metko, 14 vjeç dhe babai i tij, Fatos Metko, 45 vjeç humbën jetën në një aksident në Ontario të Kanadasë të dielën.

Ndërkohë në momentin e ngjarjes bashkë me ta në makinë ndodheshin edhe Maralba, e shoqja e Fatosit dhe vajza, Brianna. Ato u dërguan menjëherë në spital, ndërsa të enjten u mësua se Maralba kaloi në gjendje kome pas plagëve të marra. Ndërkohë vajza e familjes është përmirësuar ndjeshëm fizikisht.

Mediat kanadeze bëjnë të ditur se dhjetëra nxënës të shkollës ku mësonte i riu, u mblodhën të premten në nder të shokut të tyre.

“Familjet tona ishin shumë të afërta dhe ky ishte lajm shkatërrues për ne”, tha Hannah Carly, e cila ndihmoi të organizohej përkujtimorja jashtë shkollës Samuel W. Shaw. Ajo e njihte familjen Metko që kur ishte e vogël dhe ishte shoqe me Fioralbin.

“Kjo ishte ide e shumë njerëzve, jo vetëm e imja. U bashkuam së bashku për të nderuar Fioralbin. Shumë njerëz këtu ishin shokët e tij të ngushtë”, tha ajo.

Ndërkohë, edhe shoqja e Maralbës, dhe e ëma e Hannah-s gjithashtu, Carry Beharry, mori pjesë në përkujtimoren ku kishte thirrur edhe shumë të afërm të familjes Metko.

“Fioralbi dhe Hannah ishin shokë fëmijërie, kështu që kalonin shumë kohë në shtëpinë time që kur ishin tre vjeç. Jemi shumë të trishtuar”, tha ajo.

Nxënësit ndanë kujtimet e tyre me Fioralbin, pikërisht në qoshen ku ai priste miqtë kur dilnin pas shkolle. Por të premten, aty zunë vend lule dhe qirinj, sëbashku me një letër të gjatë të shkruar me dorë.

“Ai vazhdoi shkollën në Samuel W. Shaw për shumë vite dhe njihej nga ne si djalë me shumë humor, i kujdesshëm dhe i shoqërueshëm”, shkruhej në letër.

“Ai e bënte mësimin më të gëzueshëm. Jemi të trishtuar, do të na mungosh Fioralb. U prefsh në paqe”, shkruhej ndër të tjera në letër.

Fatos dhe Fioralb Metko vdiqën pasi makina e tyre përplasi një dre. Mjeti i tyre doli nga rruga, ku edhe u përplas me një makinë të tjetër. Si pasojë mbetën të vdekura edhe dy nënshtetase kanadeze.

Familja Metko po vizitonte Ontarion pasi planifikonte të zhvendosej aty. Ata kishin zgjedhur këtë vend pasi në këtë mënyrë do të ishin më pranë të afërmve në Michigan.

Reagim në lidhje me këtë ngjarje ka pasur edhe nga shoqata shqiptaro-kanadeze në Calgary, e cila ka hapur një donacion online për familjen. Deri më tani janë mbledhur mbi 13 mijë dollarë, që do t’i jepen dy anëtareve të mbetura të familjes./abcnews.al