“Do të jetë një kombëtare ndryshe në Poloni”, zëdhënësi i FSHF-së: Ja skemat që mund të përdoren sot

schedule11:24 - 27 Mars, 2023

schedule 11:24 - 27 Mars, 2023

Kombëtarja e Shqipërisë pritet të ndryshojë skemën e lojës në përballjen e sotme ndaj Polonisë.

Kështu u shpreh zëdhënësi i FSHF-së, Fatjon Kodra për ABC News, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga stadiumi në kryeqytetin polak, Varshavë.

Kodra nënvizoi se nuk do të përdoret skema 3-5-2 e ish trajnerit Edoardo Reja.

“Deri më tani, trajneri nuk e ka treguar gjatë seancave të stërvitjeve, megjithatë, ai është një trajner me eksperiencë dhe pak a shumë të gjithë e dinë se cilat janë modulet e lojës që ai preferon dhe ka përdorur në ekipet e mëparshme. Sipas të gjitha gjasave, do të ketë një ndryshim skeme krahasuar me 3-5-2, skemën që ne kemi përdorur në drejtimin e ish-trajnerit Edoardo Reja. Është e sigurt që do të jetë ndryshe. Mendohet që mund të jetë një 4-3-3, mund të jetë 4-5-1, mund të jetë një skemë tjetër, 4-3-2-1, që trajneri e ka përmendur në disa raste. Do shohim me siguri një skuadër të vendosur jo thjesht ndryshe në fushë, por edhe një skuadër me theks më ofensiv. Ne kemi lojtarë që luajnë në fazën sulmuese”, theksoi ai./abcnews.al