“Do të jem kryetar i të gjithëve”, Veliaj flet pas fitores: Ju premtoj përulësi, modesti dhe mëngë të përveshura

schedule18:45 - 16 Maj, 2023

schedule 18:45 - 16 Maj, 2023

Në fjalën e tij të parë pas fitores së thellë në Tiranë, Erion Veliaj, të cilit qytetarët i besuan një tjetër mandat në krye të Tiranës, tha se kryeqyteti tregoi se do të ecë vetëm përpara. Teksa falenderoi votuesit, Veliaj tha se “kjo fitore nuk e ngriti në qiell por e uli në tokë si asnjë mesazh tjetër”.

“Falenderoj 300 mijë votues të Tiranës, pavarësisht se ishte shi dhe kishte problematika në disa qendra votimi, ju falenderoj me zemër. E konsideruam votën e shenjtë dhe e shfrytëzuam si një mundësi për të folur fort dhe qartë. Na dhanë një mesazh të pastër dhe vendimmarrje për një Tiranë që për shumicën dërrmuese do të ecë vetëm përpara dhe do që të bëhet gjithmonë e më shumë evropiane. Kjo fitore nuk më ngjiti në qiell por më uli në tokë si asnjë mesazh tjetër. Ju premtoj përulësi, modesti dhe mëngë të përveshura për të ecur përpara.“, tha Veliaj.

Një mesazh kishte edhe për demokratët, duke thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve ashtu siç ka bërë në këto vite.

“Tirana na tregoi shumë qartë se më shumë sesa gishtin kërkon një dorë të shtrirë dhe të shtrënguar. Tirana tregoi se më shumë sesa ata që përçajnë preferoi ata që i bashkojnë njerëzit me dashuri dhe punë. Sot dua të falenderoj edhe ata që mendojnë ndryshe dhe t’ju them se vota juaj nuk është e kotë. Kam takuar shumë demokratë të mërzituar që nuk fituan dot. Iu them të gjithë demokratëve se do të jem kryetar juaj, do t’ju shërbej edhe juve siç administrata iu ka shërbyer gjithë këto vite pa i ndarë njëerëzit në të majtë dhe të djathtë.

Po posaçërisht ata të djathtë nuk pranuan që zgjedhjet lokale të ktheheshin në zgjedhje pro dhe kundër Amerikës. Jo se u bënë socialistë por zgjidhën që të mos përdoreshin ‘mish për top’ kundër aleatëve tanë strategjikë. Një pjesë e madhe e demokratëve refuzuan të merrnin pjesë në votime. E lexuam edhe mesazhin e tyre. Refuzuan të ishin dasmorë apo krushq në martesën e Saliut dhe Ilirit. I respektoj se folën fort dhe i dëgjuam shumë qartë.”, shtoi Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!