I shumëkërkuari Dritan Rexhepi u ekstradua këtë të mërkurë nga Turqia në Shqipëri.
Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit deklaroi se ekstradimi do të kryhet, si rezultat i rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi.
Por kush është Dritan Rexhepi?
Në Itali e quajnë “Pablo Eskobari shqiptar”. Në Ekuador i thërrasin “narko-mbreti i Quitos” apo “truri i kartelit shqiptar”. E kur ishte në burg atje, të dënuarit i thërrisnin “Julio”. Në Spanjë, “Mjeshtri i arratisjeve”. Ndërsa në Shqipëri ai njihet thjeshtë me emër, Dritan Rexhepi, nga Vlora.
Dritan Rexhepi sot është i kërkuar në 7 shtete. Por dy janë më të rëndësishmet. Italia dhe Shqipëria. E kanë kërkuar ndër vite ekstradimin e tij. Sot konsiderohet në të njëjtin nivel me narkotrafikantët më të rëndësishëm të Amerikës së Jugut. Pavarësisht aludimeve mediatike për një kartel të mirëfilltë shqiptar që drejtohet nga ai, duket se ende nuk është arritur ky nivel.
Më 27 qershor të vitit 2014, Dritan Rexhepi arrestohet në Ekuador, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë. Por për 3 muaj askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij. Ai kishte tri identitete. U regjistrua me emrat Ioannis Dionisopoulos (emri grek) dhe Lulezim Murataj (emri shqiptar). Ai kishte ndryshuar plotësisht pamje, ndërsa mbante një pasaportë greke. U desh verifikimi i Departamentit të Daktiloskopisë së zyrës qendrore të Interpolit në Lion, që të zbulonte identitetin e vërtetë të tij.
Gjurmët e gishtave, zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht 34-vjeçari nga Vlora, emri i të cilit ndodhej në listën e 10 personave më të kërkuar nga Interpoli. Dritan Rexhepi, i cilësuar si “mjeshtri” i arratisjeve, në atë kohë nuk kërkohej vetëm nga Shqipëria, por ishin edhe 4 shtete të tjera që kërkonin ekstradimin e tij, duke filluar me Italinë, Holandën, Spanjën dhe Belgjikën.