Shifra rekord të rasteve të reja me koronavirus janë shënuar tre ditët e fundit në vendin tonë, duke bërë që autoritete të shtojnë thirrjet për kujdes të shtuar ga ana e qytetarëve.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një postimi në Facebook ka postuar pamje nga ambientet e spitalit Covid 2, “Shefqet Ndroqi”, ku aktualisht po trajtohen 114 paciente.
“Mos rreziko jetën tënde dhe të njerëzve më të dashur! Të gjithë bashkë, t’i japim një dorë mjekëve dhe infermierëve ?#COVID19”, shkruan Manastirliu.
Nga pamjet shikohen momente bashkëbisedimi mes mjekëve dhe pacientëve. Mjekët vijojnë që të japin këshillat e tyre për ruajtjen e qetësisë.
Ndërkohë pacientët shprehen falënderues ndaj punës së ekipit të bluzave të bardha.
“Jam shumë më mirë se ditën e parë dhe falënderoj mjekët për mbështetjen”.
“Do më shërojnë dhe do më çojnë tek familja. Faleminderit jamë shumë e kënaqur nga ju”, ka thënë një nga pacientet e shtruara.
“Mos mendoni se kjo sëmundje është e lehte është shumë e vështirë të gjithë këto trupa që kanë ardhë këtu kanë qenë shumë të shëndoshë, por në një moment janë ndjerë në vështirësi për jetën e tyre”, shprehet një nga mjeket në spitalin “Shefqet Ndroqi”.