Muhamet Lika
Në maj u nda nga jeta një prej parodistëve të famshëm të Vlorës, Muhamet Lika. 65-vjeçari kishte shkuar për kurim në Itali, pasi vuante prej kohësh nga sëmundja e zemrës. Lika numëron plot 41 vite në skenën e humorit shqiptar dhe është vlerësuar së fundmi me titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Shqipërisë.
Valentina Caci
Në korrik u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare aktorja e njohur Valentina Caci e cila për kontributin e saj në skenën korçare, i është dhënë titulli, ‘Artiste e Merituar’. Disa nga rolet më të njohura të saj janë roli i Nekies në komedinë ‘Zonja nga qyteti’ dhe komedinë ‘Shoqja nga fshati’, shkruan Xing.
Shpëtim Zani
Në gusht të këtij viti kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të njohur, aktorin Shpëtim Zani i cili u nda nga jeta si pasojë e një ataku kardiak. Zani njihet me emrin “Coli” tek filmi “Debatik”. Ai luajti vetëm një rol në jetën e tij, ku spikati si një jetim i varfër i cili arriti të lajmërojë mësuesin komunist që është në kurth, ndërsa vritet në një moment tensioni.
Gjergj Xhuvani
Në gusht u nda nga jeta edhe regjisori i njohur Gjergj Xhuvani. Ai ndërroi jetë në një spital në Romë pas një sëmundjeje të rëndë. Xhuvani ishte regjisor, skenarist dhe producent shqiptar. Ai e realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi” në vitin 1991. Xhuvani do të mbahet mend si autor i disa filmave të suksesshëm të pas viteve 90’, si “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.
Agim Mujo
Në shtator ndërroi jetë pas një ataku kardiak, vëllai i aktores Yllka Mujos, Agim Mujo. Aktori u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare në Romë të Italisë ku jetonte që prej vitit 1990. Agim Mujo luajti në disa filma shumë të njohur mes të cilëve “Malet me blerim mbuluar” ku interpretoi bashkë me motrën e tij Yllkën.
Shpresa Berdellima
Në tetor arti shqiptar humbi një nga aktoret më të njohura të viteve ’90, Shpresa Bërdëllimën. Aktorja u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare. Shpresa e njohur si “Zonjusha Gajtan” nga roli në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, nuk arriti ta fitonte betejën më sëmundjen nga e cila vuante. Aktorja ndërroi jetë në Belgjikë, ku jetonte prej vitesh me familjen. Disa nga filmat ku ka luajtur Shpresa Bërdëllima janë: “Vajzat me kordele të kuqe, Përtej mureve të ngurta, Era e ngrohtë e thellësive”, etj
Joqif Koçi
Në nëntor u nda nga jeta aktori i njohur i Teatrit të Durrësit, Josif Koçi. Aktori u nda nga jeta parakohe në moshën 65-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur Teatri i Durrësit duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit.