Do hetojnë dhe komisariatet/ Do ristrukturohet policia kriminale, prioritet lufta ndaj krimit kibernetik dhe ekonomik

schedule15:48 - 27 Prill, 2023

schedule 15:48 - 27 Prill, 2023

“Sot morëm edhe një vendim të rëndësishëm, për t’i hapur rrugë zbatimit dhe implementimit të strukturës së re të Policisë së Shtetit, duke miratuar të gjithë strukturën e gradave në qeveri. Tashmë, struktura që është miratuar, fillon zbatimin dhe është, besoj unë, një nga reformat më të mëdha strukturore që ka bërë Policia e Shtetit, sidomos për të adresuar pjesën e riorganizimit, apo ristrukturimit tërësor të policisë kriminale”.

Fillimisht struktura e re policore është miratuar në Ministrinë e Brendshme dhe më pas është përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dy javë më parë.

Por si do të funksionojë kjo strukturë?

Mësohet se brenda saj ka disa ndryshime si krijimi i Departamentit të Krimeve Kibernetike, pra ky sketor do të krijohet si departament më vete ku do të përfshijë disa drejtori brenda saj. Arsyeja kryesore për këtë departament janë bërë sulmet kibernetike nga iranianët, por edhe për faktin se vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e krimet kibernetike.

Ndryshime të mëdha do të pësojë edhe Policia Kriminale. E ndarë në dy grupe, oficerë që do të hetojnë ngjarjet e rënda kriminale, dhe një tjetër grup agjentësh për krimet e tjera.
Një tjetër ndryshim që pritet të prekë strukturës është edhe ndarja territoriale. Deri më tani komisariati i Kavajës, në juridiksion të Drejtorisë së Tiranës të kalojë na varësi të Drejtorisë së Durrësit.
Ndërsa, komisariati i Krujës, deri më tani në juridiksion të Durrësit, pritet t’i kalojë Tiranës.

Struktura e re e policisë duhej të vihej në zbatim që në muajin shkurt, por kishte ngelur pezull për shkak të përplasjeve të posteve drejtuese të Policisë Kriminale. Ngerçi ishte krijuar pikërisht për pozicionet kyçe në këtë sektor.

Edhe pse ka kaluar si strukturë dhe është miratuar, burimet thanë për ABC news se do të vihet në zbatim në muajin qershor., ku do të prezantohet nga drejtuesit më të lartë të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se arsyeja e vonesës së zbatimit të kësaj strukture bëhet për shkak të zgjedhjeve bashkiake të 14 majit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!