“Do helenizojmë Himarën”, Rama dënon gjuhën e Belerit: Deklarata të papërgjegjshme

schedule18:49 - 10 Maj, 2023

schedule 18:49 - 10 Maj, 2023

LUSHNJË- Nga Lushnja, ku mbylli fushatën elektorale për këtë bashki, kryeministri Edi Rama komentoi deklaratën e Fredi Belerit, i cili tha se do të helenizojë Bashkinë e Himarës nëse shpallet fitues i zgjedhjeve vendore më 14 maj. Këto deklarata “provokuese” të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rama i cilësoi të turpshme dhe të papërgjegjshme.

“Shikoni Himarën, shikoni çfarë ndodh në Himarë, shikoni se çfarë kanë bërë në Himarë “Non Grata” bashkë me Liken. Këta patriotë të mëdhenj, këta patriotë që mbrojnë Kosovën nga unë, këta patriotë që luftojnë Serbinë, këta patriotë që mbrojnë Ballkanin. Shikoni se çfarë bëjnë dhe thonë vetëm broçkulla. Atij drurit që ka dalë në Himarë, dhe më papërgjegjësinë më të madhe, shëmbëlltyrë e skutave më të thella të të kaluarës që nuk i gjen dot sot në Greqi, të qarqeve më të errëta folk-nacionaliste të të shkuarës që thotë do helenizojë Himarën. Do helenizojë Himarën ai, do vë në vend padrejtësinë 60 vjet. Nuk e di se si i numëron. Është analfabet funksional, nuk di as të flasë as të numërojë. Na del ky “fanspathi” në Himarë, i hedhur atje si kartë bixhozi nga faqja më e zezë e Shqipërisë, Salikefloriri, të dy bashkë, njëri më katran se tjetri. Këtë e them këtu në Lushnjë, sepse të djathtët në Lushnjë dhe Fier janë shumë patriotë. A nuk ndjeni ju përgjegjësi t’ua jepni votën këtyre faqezinjve, faqezinj nuk u them unë, por këtë damkë ua ka vendosur aleatët tanë. Janë të matrikulluar si persona të padëshirueshëm. Atje në Himarë e kanë nxjerrë të gjithë thelbin e vetes”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Rama u shpreh i sigurt se opozita pas 14 majit do përpiqet të gjejë alibinë e humbjes duke akuzuar Partine Socialiste për blerje dhe tjetërsim votash.

“14 maj nuk do jetë një fitore, por një triumf. Ju siguroj se ata, mbani mend, në mos që natën e 14 majit, në mos që mbas ditën e 15 majit. Në 16 maj, i keni duke bërtitur, “na vodhën votat”, “na grabitën”, “narkoshteti”, “kriminelët”, “i blenë”, sepse ata s’kanë asnjë shans dhe strategjia e tyre është të kapen si i mbytur që kërkon të të mbysë”, u shpreh ai./n.m. abcnews.al