Laçi fitoi një tjetër ndeshje të fortë në shtëpi. Bardhezinjtë mposhtën 3-2 Kukësin dhe janë ngjitur në vend të dytë. Trajneri i ekipit kurbinas, Shpëtim Duro analizoi suksesin e sotëm në deklaratën e dhënë për Supersport, aty ku preku disa tema të ndryshme.
“Rëndësi kanë tre pikët. Më erdhi pak keq kur Harmon humbi golin e katërt, por e rëndësishme është që fituam ndaj një kundërshtari të fortë. Fitoret me Partizanin dhe Kukësin tregojnë se skuadra është në rrugë të drejtë.
Te Kukësi kam shumë miq, më bëri përshtypje, më takuan para ndeshjes të gjithë. E kam thënë që duhet t’i vijë keq atyre, pasi vjet ishim në garë dhe do i realizoja objektivat. Kjo fitore sot nuk ka lidhje me inat, jam profesionist dhe jam i përqendruar totalisht te skuadra e Laçit.
Jam i kënaqur, pasi gjatë gjithë ndeshjes ishim dominues. Kukësi nuk na ka rrezikuar në asnjë moment, pa llogaritur dy rastet me goditje standarde në pjesën e parë dhe dy penalltitë. Rezultati 3-0 ta krijon tërheqjen logjikë për të mbrojtur rezultatin, pasi aty mbaroi ndeshja.
Më erdhi keq për rastin e humbur të Harmon, në fund nuk kisha frikë fare. Lamë pak terren në fund, por Kukësi nuk na rrezikoi përveç dy penalltive. Po të kishim shënuar golin e katërt me Harmon, gjithçka do të ishte ndryshe.
Hallaçin e kam marrë 18 vjeç te Partizani, jam paksa i vjetër. Ai e ka të ardhmen përpara, është djali i ri, serioz dhe njeri pozitiv, do ecë përpara si trajner. Nuk ishte për të kuqe e Selmanit, ishte ndërhyrje energjike, por kapi topin. Ky është shkaku pse e ndërrova në pjesën e dytë.
Nwabueze? Nuk e mendoja të merrja drejtimin e Laçit dhe të mos luante ai. Kjo është meritë e skuadrës, por ecën shumë mirë edhe pa të. Nwabueze ka pasur probleme me këmbën pas duelit me Teutën. Me datë 6 ka bërë një operim në sy, të shohim si do të jetë gjendja e tij për ndeshjet e ardhshme. Nëse ka oferta të mira për klubin, është logjike shitja. Ka edhe 6 muaj kontratë, nuk mund të dal jashtë klubit, por nuk ka asgjë konkrete sinqerisht.
Laçi? Nuk kisha ndërmend ta merrja drejtimin e ekipit, ishte në vend të nëntë dhe me pak pikë. Ishte situatë e vështirë duke parë edhe objektivat. Por, duke parë grupin e lojtarëve, mendova se mund të përmirësohej situata, i njihja mirë edhe lojtarët e këtij ekipi. E njoh mirë skuadrën tani, ashtu siç ata e dinë se çfarë kërkoj unë. Ka elementë të mirë, është skuadër e fortë dhe ka ekuilibra në çdo repart.
Më ka mbetur merak humbja me Kastriotin, ishte çështje fati pasi dominuam kundështarin. Ekipi ka luajtur shumë mirë në 5 ndeshjet që e kam drejtuar unë. Selmani për të kuqe? Prapë ishim 2-0, do e kishim fituar ndeshjen“, përfundon Duro. /abcnews.al

