Përmes një statusi në rrjetet sociale Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është përfunduar projekt-vendimi i këshillit të ministrave për ndërtimin e 3400 shtëpive të para.
Për këtë projekt Rama thotë se është vënë në dispozicion fondi prej 8.7 miliard lekësh.
Ky projekt vendim do të miratohet nesër në Kuvend dhe më pas do të hapet një tender ndërkombëtar, fituesi i të cilës do të marrë përsipër ndërtimin e këtyre shtëpive.
Sipas Ramës familjet që kanë humbur shtëpitë në Thumanë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Durrës, Shijak, Kavajë, Vorë, Kamëz e Tiranë do të presin ditën e parë të vitit të ri 2021 në shtëpi të re.
Postimi i Kryeministrit:
“Sapo kemi mbyllur tekstin e shkruar të Projekt-Vendimit të Këshillit të Ministrave për ndërtimin e 3400 shtëpive të para, me një fond limit 8,7 miliarde lekë, që pas miratimit nesër do t’u hapë rrugën njësive zbatuese të çelin tenderin ndërkombëtar që do të hapet në fillimjavën e ardhshme.
Ne do ta bëjmë natën ditë, që natën e fundit e këtij viti familjet e Thumanës dhe të çdo zone rurale në Krujë, Kurbin, Lezhë, Durrës, Shijak, Kavajë, Vorë, Kamëz e Tiranë, të cilat e humbën shtëpinë e vjetër, ta presin ditën e parë të Vitit të Ri në një shtëpi të re, më të fortë e më të bukur se ajo që kishin“./abcnews.al