Djegia e makinës së Lelit, Noka: Përplasje bandash pas prishjes së pazareve

schedule15:13 - 10 Tetor, 2019

schedule 15:13 - 10 Tetor, 2019

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka e sheh ngjarjen e ndodhur me djegien e automjetit të kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli të lidhur prishjen e pazareve me krimin për grabitjen e pronave në bregdet. Në një deklaratë nga selia blu, Noka deklaroi se fuqizimi i krimit të organizuar ka sjellë për rrjedhojë edhe dorëheqjen e 9 drejtorëve për çështjen e pronave në Vlorë.

Deklaratë Partia Demokratike, Flamur Noka :

Djegia e makinës së Kryetarit të Bashkisë së Vlorës është tregues i shtetit të Edi Ramës të bërë njësh me krimin, ku pushteti i takon bandave dhe jo ligjit.

Në Vlorë po vepron krimi i organizuar që Edi Rama i ka dhënë pushtet, për arsyen e vetme se është krimi i organizuar që financon fushatën e Partisë Socialiste dhe që e ndihmon Edi Ramën të blejë vota e të vjedhë zgjedhjet. Tani, krimi kërkon akoma më shumë zgjerim, kërkon të blejë pasuri të patundshme, të pastrojë paratë e pista dhe nuk ndalet përpara asgjëje.

Paprekshmëria e krimit të organizuar dhe fuqizimi i tij gjatë qeverisjes së Edi Ramës është arsyeja pse në Vlorë kanë dhënë dorëheqjen 9 drejtorë për çështjen e pronave. Vetëm tre muajt e fundit kanë dhënë dorëheqjen, njëri pas tjetrit, 3 drejtorë kadastre, por Edi Rama ua fsheh të vertetën shqiptarëve.

E vërteta është se kjo është një luftë mes bandave. Është një bandë e krimit të organizuar për të gllabëruar toka në bregdetin e Jalit, kundër bandës së qeverisë, që po e grabit atë me klientët e Edi Ramës, të cilëve u jep statusin e investitorit strategjik për të grabitur dhe betonizuar Rivierën shqiptare.

Bashkë me vrasjet, rrëmbimet dhe kërcënimet mafioze, gjendja është njësoj e rëndë në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Durrës, Fier dhe Elbasan. Krimi i organizuar me trafikantë ndërkombëtare droge, ka në dorë gjithçka. Ai ka në dorë edhe kryeministrin e vendit, i cili akuzon prokurorët se bashkëpunojnë me bandat, por nuk çon përpara drejtësisë as prokurorët, as bandat, megjithëse ka nën urdhra policinë, shërbimin informativ dhe vetë drejtësinë.

Rasti i Durrësit, ku edhe aty janë në përplasje banda e krimit të organizuar me bandën e qeverisë për çështje pasurish të paluajtshme, është tregues i qartë se kryeministri i vendit është peng i krimit të organizuar.

Duke blerë zgjedhjet për Edi Ramën krimi i organizuar ka siguruar paprekshmërinë nga drejtësia, prandaj ai guxon të kërcënojë zyrtarët e shtetit, t’i detyrojë ata të japin dorëheqje dhe të hedhë në erë makinat e kryetarëve të bashkive.

Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot në Shqipëri dhe jashtë saj, prandaj vendi ynë ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri peng i krimit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!