Djegia e tre makinave në Vlorë/ Arrestohet porositësi dhe zjarrvënësi, në kërkim bashkëpunëtori i tyre

schedule09:45 - 19 Korrik, 2023

schedule 09:45 - 19 Korrik, 2023

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur në orët e para të së martës në Vlorë, ku u dogjën tre makina. Në pranga ka rënë 32 vjeçari Julian Çobo dhe 40 vjeçari Kreshnik Yzeiri ndërsa në kërkim është shpallur 41 vjeçari Elton Lushaj.

Sipas policisë, ka qenë Julian Çobo që ka porositur djegien e makinave. Elton Lushaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia, ka siguruar lëndën djegëse ndërsa Kreshnik Yzeiri ka kryer zjarrvënien. Ndërkohë, motivet e djegies së tre makinave mbeten ende të paqarta për policinë e Vlorës.

Ngjarja ndodhi në lagjen ‘Pavarësia’. Dy nga makinat u dogjën pjesërisht dhe tjetra plotësisht. Sipas burimeve, makinat i përkasin shtetasve Petref Koshena, Artur Hysi dhe Nerizan Hoxha. Ky i fundit tha se nuk dyshon tek asnjë person dhe se nuk e di pse ia kanë bërë këtë gjë.

“Kam parkuar si çdo natë këtu. Nuk kam asnjë dyshim. S’e di pse më është bërë kjo gjë. Shpresoj që policia ta gjejë personin.” Zjarri iu vendos ‘Ford-it’ dhe nga flakët janë përfshirë edhe dy të tjerat, një Ford që u djeg pjesërisht dhe një ‘Volkswagen’, e djegur plotësisht./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!