Matko Djarmati, drejtori sportiv i Vllaznisë, gjatë këtyre ditëve ka pasur mjaft punë në lidhje me zërat e merkatos. Emra nga më të ndryshmit janë lidhur me kuqeblutë që kryesojnë Superioren dhe normalisht kroati nuk është ndjerë mirë.
I ftuar në emisionin “Pressing” në ABC, ai është shprehur në lidhje me sfidën e nesërme me Teutën: “Asgjë nuk vendoset nesër, është ndeshje si të tjerat me Teutën. Sikur përgatitemi me Apoloninë dhe Skënderbeun, ashtu përgatitemi edhe për ndeshjen me durrsakët”.
“Teuta, bashkë me Laçin, janë dy skuadrat më të mira të kampionatit. Ne kemi ndërtuar ekip për kupat e Europës, ata për titull. E kanë thënë që ditën e parë që janë për kampion. Sponsori mund ta përmende titullin, unë them atë që më është kërkuar. Europa është objektivi i parë, nuk kemi presion. Teuta është nga më të mirat në kampionat”.
“Mungojnë Dunga dhe Da Silva nesër. Nëse do kisha mundësi do shkoja në Kenia. Ai ka probleme me pasaportën, nuk është si në Europë. Nuk e di si është atje. Kemi edhe diskutime me lojtarë të tjerë afrikanë dhe pa 21 ditë nuk vijnë dot. Nuk marrin dot viza turistike, por viza pune. Mungon Dunga, por kemi Dilaver që punon mirë me këmbë.
Kemi marrë Avdiajn, kemi shumë besim tek ai. Trajneri e njeh prej kohësh. Mendojmë se mund të na ndihmojë. Ka luajtur pak, por ka tre muaj që flasim. Mendoj se do na ndihmojë shumë. Mandiangu nuk erdhi i dëmtuar, u dëmtua pas 4 ndeshjesh. Ai është operuar në Gjermani një ditë më parë.
Në Wolfsburg Avdiaj ka punuar me Brdaric, ia di cilësitë. Nuk më intereson pjesa e Tiranës. Do bëjmë maksimumin që ta nxjerrim nga balta. Jam i bindur edhe unë për të. Ndeshja kundër Young Boys më ka bërë përshtypje. Nuk kemi probleme në sulm. Pasi iku Dunga kemi shënuar 11 gola. E dinim që kishte probleme me pasaportën dhe i bëmë të gjitha përpjekjet”. /abcnews.al