Djali i vetëm në luftën me jetën/ Babai: Kur s’je i zoti të bësh kurrgjë për evladin, nuk paska gjë më të rëndë

schedule22:14 - 20 Prill, 2023

schedule 22:14 - 20 Prill, 2023

Në dhomën e spitalit ku qëndronte i biri, burrë e grua qëndronin duke derdhur lot… duke u lutur tek i madhi Zot. Lutfiu e Jetmira u sprovuan në moshë të thyer, atje ku dhemb më shumë… tek djali i tyre i vetëm. Elsi është veçse 21 vjeçar dhe është prekur nga një sëmundje e rëndë.

E veç sëmundjes së të birit, Lutfiu e Jetmira duhej të mbanin një peshë tjetër të madhe. Pamundësinë për të dërguar djalin për kurim jashtë shtetit. Por shumë shpejt, pa kaluar 24 orë, pesha në shpirtin e këtyre dy prindërve në moshë, u ngrit nga duart e mijëra shqiptarëve.

Rasti u publikua në “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe fondi i nevojshëm për dërgimin e Elsit jashtë shtetit, në një spital në Romë, u arrit pa bërë ende 24 orë nga thirrja për ndihmë.
Sidrit Bejleri shkoi në Shkodër, për të takuar Lutfiun e Jetmirën.

Sidriti: Lutfi si të kam?

Lutfiu: Mir. Inshallah me ndihmën e Zotit e dërgojmë djalin jashtë shtetit… unë ju falenderoj me zemër, me shpirt.

Sidriti: Ju e keni dhimbjen, e ne s’mundema me u fut në të. E me të ra ky hall i madh e mos e çu dot kurrkund fëmijën, është pishmanllik i jetës…

Lutfiu: Kur e sheh evladin e nuk je i zoti me bërë kurrsend… s’pkaska gja ma t’randë. Unë prej zemnës i falenderoj ata që u bënë bashkë për tim bir.

Jetmira: Falemners shumë prej jush, prej të tanëve. I madhi Zot, inshalla ju shpërblen, juve, Elvis Naçit, e tanë shqiptarëve. Me na dërgu Elsin për kurim, me na e shpëtu atë dritë të syve që kena.
Sidriti: Nuk e kam të kollajtë me ardh para jush… më kupton. Nuk është kollaj hiç me parë të tilla raste. Por kur të bjen kjo sprovë e njerëzit dalin për me ta dhënë mbështetjen… kjo na e çon moralin lart. Brenda më pak se 24 orëve u bënë fondet për djalin.

Lutfiu: Për Zotin me ta thanë të drejtën e shpirtit… ora ishte e tre e natës dhe ndiqja mbledhjen e fondeve…më çonte vendi, si i themi ne. E thoja o i madhi Zot, inshallah po ma shpëtojnë djalin.

Sidriti: Ne dhamë si të thuash shkëndijën, kurse karburantin e hodhën shqiptarët. Falenderimi i takon Zotit e të gjithë atyre që ndjekin rrugën e tij.
Lutfiu: Amin. Zoti të shpërbleftë.

Sidriti: Sa ju ndien juve zemra e shpirti, unë s’mundem ta them.

Jetmira: Falemners nga zemra prej jush. Jemi të gëzuar tashmë që shkojmë atje… e themi inshallah o Zot, gjithçka shkon mirë.

Sidriti: Jam shumë i gëzuar që e shoh këtë buzëqeshje tenden…

Jetmira: Inshallah don Zoti, unë jam e gëzuar që u hap drita jeshile. Po na vijnë njerëz, nuk ka pushuar dera me njerëz që vijnë për të na forcuar zemrën, durimin.

Ne këtë fëmijë kena, këtë dritë sysh kena… na sprovoi i madhi Zot, por shyqyr prej Tij, na dha mundësinë me u bashku, me na ndihmu shqiptarët… ai është i ri, ka ëndrra përpara, jetën përpara. Ajo që keni dhënë ju, për mua është e madhe.

Lutfiu: S’e harroj derisa të vdes… kjo është diçka që nuk harrohet. Çdo gjë harrohet, por kjo nuk harrohet…(përlotet)
Sidriti: Lutjuni Zotit, e dashtë Ai, sprova do të harrohet e do të mbetet veçse një kujtim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!