Divorci Meta-Kryemadhi, konflikt apo marrëveshje? Gazetarja: Sakrificë për të shpëtuar familjarët e tyre

schedule22:55 - 25 Qershor, 2024

schedule 22:55 - 25 Qershor, 2024

Ilir Meta njoftoi pak ditë më parë divorcin nga Monika Kryemadhi, bashkëshorten e tij dhe partneren politike prej rreth 30 vitesh, me të cilën ka edhe tre fëmijë. Për këtë çështje u diskutua mbrëmjen e së martës në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji, ku të ftuarit e cilësuan si një skenar.

Gazetarët Dritan Laçi dhe Anduena Llabani dhe avokatja Enida Bozheku e cilësuan si një skenar për të shpëtuar pasurinë e tyre. Gazetarja Llabani tha se divorci është një sakrificë që bën çifti për të shpëtuar disa familjarë të tyre, që sipas të cilës, janë në proces hetimor nga SPAK-u.

Pjesë nga diskutimi:

Dritan Laçi: Në optikën time, e shoh si një skenar. Nuk është i pari që bën një gjë të tillë. Ka qenë edhe një cift biznesmenësh të njohur që e kanë bërë këtë gjë vite më parë. Në rastin konkret, kam përshtypjen se hetimi pasuror, që është pasuri që vlerësohet në shuma të mëdha, dhe si duket ndoshta po kërkohet të shpëtohet një pjesë e familjes duke bërë pjesën e divorcit.

Enida Bozheku: Që kanë konflikt padyshim që kanë. Janë aktorë të mirë, kanë eksperiencën prej 30 vitesh në arenën politike shumë makiaveliste të të dyve. Por pse tani? Meta tha se konflikti ka nisur kur u dogjën mandatet. Pse vjen pas kaq vitesh? Ku në të njëjtën kohë paralelisht kemi SPAK që ka nisur një procedim sa i përket pasurisë dhe mbi të gjitha mënyra se si po lëvizet shpejt edhe me këto deklaratat publike, lë për të kuptuar sa i përket fshehjes. Meta kur doli nga SPAK se nuk mbaj përgjegjësi për shpenzimet apo pasurinë që Monika ka shfrytëzuar gjatë kohës që kemi qenë bashkë. Monika mund të marrë përgjegjësinë e gjithçkaje sa i përket hetimit pasuror sepse kështu po duket dhe pastaj të çon edhe në gjëra të tjera, zbulime. Dhe merr përgjegjësinë Monika. Ilir Meta del i pastër dhe vazhdon aktivitetin politik për të ruajtur një pasuri aq të madhe apo për të  vënë një tjetër në rast se do të merret kjo, duhet dikush të jetë në politikë.

Anduena Llabani: Nuk besoj se është e vështirë për të kuptuar se pas këtij divorci është një sakrificë që bën çifti për të shpëtuar familjarët dhe po flas për dy familje, qoftë nga Meta dhe Kryemadhi. E kanë menduar para nesh se nuk mund të jenë të dy në burg. Nuk mund të lënë çka kanë vendosur në këto vite në mëshirë të fatit. Deri vonë kemi parë statuset e tyre që dëshmojnë dashurinë mes njëri-tjetrit. Situata juridike, kushtet ku ndodhen sot çifti i divorcuar, është një manovër shumë e mirë. Kush e njeh çiftin në fjalë, e di shumë mirë që kjo është një lojë e arsyeshme për ta. Kemi një hetim që nuk përfshin vetëm zotin Meta apo zonjën Kryemadhi. E thashë që ky është një divorc për të shpëtuar gjithë familjet e tjera. Janë 3-4 familje që janë njerëz të zonjës Kryemadhi dhe të zotit Meta që do të futen dhe janë futur në proces hetimor. Kemi edhe personazhe publikë që janë futur në proces hetimor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!