Sot është ditëlindja e parë pa shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare.
Në emisionin “Pas Mesnate”, studiuesja e veprës së tij, Jorina Kryeziu Shkreta ka folur për dorëshkrimet e Kadaresë. Ajo e ka konsideruar si një derë, e cila kur hapet zbulon shumë të panjohura.
“Sot është një ditëlindje e parë pa shkrimtarin, jo vetëm pa shkrimtarin që përfaqëson letërsinë shqipe në hartën e letërsisë botërore, por sigurisht dhe një vend i jashtëzakonshëm që ai ka lënë me korpusin e tij, me veprën në letërsinë botërore.
Edhe pse një pjesë të jetës, ai e kaloi në një kohë digjitale, ai preferoi që të shkruajë në letër me dorëshkrim dhe daktoligrafoheshin prej së shoqes, zonjës Helenë dhe për të vijuar më tej me botimin, është një pasuri e pashtershme, e cila na vjen si një dhuratë. Është një derë, e cila hapet në mënyrë të jashtëzakonshme me dorëshkrimet që ai solli për lexuesin dhe ajo që duhet thënë është pikërisht në atdheun e tij”.
Jorina ka theksuar se dorëshkrimet janë shumë të rëndësishme, madje në Francë ka dhe një insitut të themeluar vetëm për to.
“Në botë është një shkollë më vete, e cila merret me dorëshkrimet. Madje, në vitet 1970 në Francë u themelua dhe Insituti i Teksteve dhe Dorëshkrimeve Moderne. Është një praktikë që bota e njeh dhe i ruan me fanatizëm dorëshkrime të tilla”./abcnews.al