Si pasojë e masave ajrore të paqëndrueshme të cilat vijnë nga rajoni Mesdheut, vendi ynë do të përfshihet nga vranësira të dendura duke filluar nga orët e para të ditës.
Parashikohet që pas mesditës dhe kryesisht pasditja të sjellë zhvillim të vranësirave duke gjeneruar reshje shiu fillimisht në zonat bregdetare dhe gradualisht momente me shira afatshkurtër do ketë edhe në pjesën tjetër të vendit.
Orët e natës sjellin largim të vranësirave dhe përmirësim të kushteve atmosferike. Temperaturat e ajrit mbeten të pandryshuara në mëngjes por rënie me 1-2°C sjellin orët e mesditës duke u luhatur nga 4°C deri në 22 °C.
Era do fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 45 km/h kryesisht nga drejtimi Jugor duke krijuar në det dallgëzim 4 ballë.
Kosova
Vijojnë kthjellimet e alternuara nga vranësira të herë pas hershme në të gjithë Kosovën. Vranësirat shtohen pas mesditës dhe në orët vijuese por sërish mundësia për shi paraqitet vetëm në zona të izoluara dhe vetëm në momente të shkurtra kohore.
Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut mbetet në të njëjtën tablo sinoptike ku kthjellimet ndërpriten shpesh herë me vranësira të dukshme. Më të shpeshta vranësirat gjatë mesditës dhe pasdites por sërish krijohet mundësia vetëm për ndonjë shi të izoluar dhe në sasi të papërfillshme në zonat kufitare me Shqipërinë. /abcnews.al/