I vetëdijshëm për rëndësinë e përfaqësimit të grave në politike, Edi Rama zbuloi pak nga skuadra me të cilën socialistët do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Përpara grave socialiste, kryeministri foli për figura të reja në listat e kandidatëve, ndryshe nga ëfarë propozojnë kundërshtarët e tij politike.
Rama tha se mandati i katërt do të jetë për të ulur Shqipërinë në tryezën e bashkimit europian dhe për ti ofruar shqiptarëve një drejtësi me standarde.
“Kjo është e vërteta e ekuilibrit të çdo shtëpie që pa gruan është pa çati dhe e vërteta dhe e ekuilibrit të çdo shoqërie. Nëse sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe vajzat në të gjitha hapësirat kjo i detyrohet Partisë Socialiste të Shqipërisë. Një grua shqiptare, Elena Gjika, thoshte se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar gruas. Dhe nëse ne përpiqemi ta matin Shqipërinë me vendin që i ka rezervuar gruas, i gjithë progresi është pasqyrë e vetë progresit që ka bërë Shqipëria”, tha ai.
Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 marsi festohet sot në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas.
Kjo ditë është simbolike për rrugëtimin historik që gratë në të gjithë botën kanë bërë për të përmirësuar jetën e tyre. 8 marsi vjen si një kujtesë, se pavarësisht sa është bërë, udhëtimi është i gjatë dhe duhet bërë akoma më shumë.