Dita kundër korrupsionit, Manja: “Peshku” i vogël të mos bëhet i madh, kemi në krah SHBA

schedule08:55 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 08:55 - 9 Dhjetor, 2021

Në ditën ndërkombëtare anti-korrupsion ministri i Drejtësisë Ulsi Manja njëkohësisht Koordinator Kombëtar kundër korrupsionit, ka përcjellë një mesazh për rolin që ka secili në këtë “betejë”.

Frenimi i korrupsionit, Manja thekson se bëhet duke denoncuar çdo formë abuzimi. Korrupsioni siç nënvizon Manja dëmin e bën po njësoj, por sipas tij do pak kohë që “peshku i vogël të rritet e të bëhet i madh”. Në këtë “betejë”, ministri thekson se vendi jonë ka në krah mbështetjen e SHBA.

Në ditën ndërkombëtare anti-korrupsion. Bindja ime është e palëkundur: Ata që i lidh me njëri-tjetrin korrupsioni, nuk janë atdhetarë. Mund të bërtasin sa të duan në FB, apo në stadium, të bëjnë shqiponjën, a të grinden për nacionalizma, janë hipokritë që i bëjnë dëm vendit. Lufta ndaj korrupsionit nuk ka përjashtime, nuk ka solidaritet miqësor, fisnor a partiak, ndryshe je bashkëpunëtor. Secili prej nesh ka betejën e tij, në këtë luftë të madhe për të frenuar këtë virus dhe vaksina e vetme është dashuria për vendin duke denoncuar çdo formë abuzimi. Indiferenca ndaj korrupsionit është bashkëpunëtorja më e madhe e tij. Është mbulesa ku rrinë ngrohtë ata që gërryejnë rrënjët e vendit, edhe “të tuat” miku im që po lexon, sepse pavarësisht sa i ndershëm je, në pasaportën tënde që lexon “shqiptar” ke si damkë leximi “i korruptuar”, pikërisht për shkak të raporteve që vijnë edhe indiferenca shumëvjeçare.

Korrupsioni nuk është i madh, apo i vogël, nuk matet me peshë a me shifra. Është i njëjtë dhe dëmin e bën po njësoj, vetëm se do pak kohë që ai peshku i vogël të rritet e të bëhet i madh. Ndaj duhet frenuar që kur është cironkë. Le të bëhemi bashkë, në këtë luftë; Kemi një nga mbështetjet më të fuqishme SHBA-të, kemi gazetarë të përgatitur dhe të aftë, kemi të rinj që duan me zemër të shnjollosin emrin e Shqipërisë, prandaj pak guxim qytetar për të mos lejuar askënd të abuzojë, apo më mirë të guxojë të abuzojë. Kështu i shërbejmë vendit. Kështu i shërbejmë demokracisë. Kështu i shërbejmë të ardhmes“, shkruan Manja.

Më 9 dhjetor 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën kundër Korrupsionit dhe e shpalli këtë ditë “Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”. Sot në këtë ditë vjen në Tiranë zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Ai do të zhvillojë këtë të enjte vizitën e tij të parë në Shqipëri, ku do takojë disa politikanë. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi disa ditë më parë se qëllimi i vizitës është për të thelluar miqësinë e ngushtë mes dy vendeve, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Po ashtu vizita e zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit zhvillohet 2 ditë para Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!