Dita e Verës festohet edhe në Vlorë. 14 Marsi është kremtuar edhe në qytetin bregdetar me aktivitete të shumta që kanë përfshirë çdo moshë. Aktivitetet kanë qenë të fokusuara kryesisht te fëmijët e qytetit, për të cilët kjo festë është edhe më e veçantë. Pikërisht nga zërat e vogëlushëve kanë ardhur edhe urimet më të bukura për këtë festë. Duke recituar vargje nga vjershat që kanë mësuar, fëmijët kanë uruar Ditën e Verës, e cila për ta është dita më e bukur dhe më e gëzuar.
Ndërkohë, edhe qytetarët e Vlorës që kanë qenë të pranishëm në aktivitetet dhe ceremoninë e organizuar për Ditën e Verës kanë uruar 14 Marsin. Për ta, kjo ditë simbolizon ardhjen e beharit dhe të stinës së ngrohtë. Ashtu siç ngrohet moti, sipas qytetarëve, ngrohen edhe shpirtrat dhe buzëqeshjet e njerëzve. Në këtë ditë të ngrohtë pranvere nuk kanë munguar edhe ata që kanë preferuar të shëtisin përgjatë bregdetit, madje disa kanë zgjedhur të bëjnë edhe plazh.
Dita e Verës është festuar këtë të shtunë edhe në jug të vendit, në qytetin bregdetar të Vlorës. Përveç aktiviteteve të organizuara në qytet, shumë qytetarë kanë zgjedhur të kalojnë kohë pranë detit, duke shijuar motin e ngrohtë dhe atmosferën festive.


