Kukësi, Teuta dhe Laçi mësojnë sot rivalët në ndeshjet kualifikuese të Europa League, sikurse edhe dy skuadra shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe Shkupi. Një ditë më parë ata janë njohur me rivalët e mundshëm dhe sot në orën 12:00 hidhet shorti.
Kukësi dhe Laçi rrezikojnë ndeshje të vështira, pasi të gjithë rivalët e mundshëm vijnë nga kampionate me buxhete dukshëm më të larta. Goglat nuk janë treguar aspak bujare me verilindorët, pasi tre kundërshtarët e mundshëm të ekipit të Skënder Gegës janë: Akademia Puskas (Hungari), MKS Cracovia (Poloni) dhe Slavia Sofia (Bullgari).
Laçi rrezikon sërish një përballje me Hapoel Beer Sheva, skuadër me të cilën u ndesh edhe vitin e shkuar. Rivali tjetër i mundshëm është Keshla, ekip që quhej Inter Baku vite më parë dhe kurbinasit janë eliminuar një herë prej tyre me gol fushe.
Neftci Baku (Azerbajxhan) është ekipi tjetër me të cilin skuadra e Cungut rrezikon të përballet. Me një prej këtyre tre ekipeve do të ndeshet edhe Shkupi, skuadra tjetër shqiptare që ndodhet në të njëjtin grup me bardhezinjtë.
Teuta do të dojë të shmangë skuadra si Apoel (Qipro) dhe Beitar Jerusalem (Izrael). Sutjeska, dhe fituesi i çiftit Santa Colomba–Iskra Danilov, do u shkonte për shtat durrsakëve, që do të kishin shanse të mëdha për të kaluar në raundin tjetër të kualifikueseve të Europa League.
Edhe Shkëndija e Tetovës sot mëson rivalin. Kuqezinjtë, që njësoj si Kukësi ndodhen në vazon e favoritëve, do të sfidojnë një nga këto katër ekipe: FC Noah (Armeni), Sumgayit City FC (Azerbajxhan), FC Petrocub-Hincesti (Moldavi) dhe FC Lokomotive Tbilisi (Gjeorgji). /abcnews.al