Shtatë klube shqiptare në fushë, luhen takimet e para të turit të dytë të Conference League. Prej orës 19:00 do të duhet që shqiptarët të vihen në siklet cilën ndeshje të ndjekin më parë.
Vllaznia luan në transfertë kundër AEL Limassol, një duel mjaft i vështirë për shkodranët. Po në transfertë luajnë edhe kampionët e Maqedonisë së Veriut. Shkëndija e Tetovës sfidon Rigën.
Teuta dhe Laçi luajnë në Shqipëri. Kampionët e Superiores e kanë detyrim fitoren ndaj Inter Escaldes, kampione e Andorrës. Ndeshje shumë e vështirë për Laçin, që pret Univ. Craiova në “Elbasan Arena”.
Në 20:00 Shkupi përballet me portugezët e Santa Clara, kurse 15 minuta më vonë nis dueli i vështirë i Partizanit me skuadrën e Basel, në Zvicër.
Drita është skuadra që përmbyll ndeshjet e Conference League, në një sfidë me holandezët e Feyenoord në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. / abcnews.al