Një titull akademik për këdo që kalon në pedonalen ‘Murat Toptani” në Tiranë. Me këtë mënyrë shoqëria civile ka ironizuar situatën në institucionet e arsimit të lartë në vend ndërsa i ka bërë thirrje Strukturës se Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar të nisë hetimet për shpërdorim detyre në universitetet publike.
Një prej organizatorëve të protestës, Migen Qirinxhi shprehet se kjo ditë vendin tonë e gjen me cilësinë më të ulët të arsimit.
“Studentët gjenden në dyert e Europës me diploma që nuk njihen. Çdo muaj ka raste të korrupsionit nga ana e pedagogëve të cilët kërkojnë edhe favore seksuale. Kemi vendosur të bëjmë një protestë kreative ku në thelb ka simbolikën, “Universitetin e Korrupsionit””, u shpreh ai.
Gjithashtu ai tha për gazetaren Ajgena Korbi se politika nuk marrë asnjë një masë dhe nuk ka vendosur si prioritet cilësinë e arsimit.
“Pakti i Universitetit nuk rezultoi i suksesshëm sa i përket produktit që studentët marrin. Sot vijmë me këtë “Universitet Korrupsioni”, për të tërhequr vëmendjen e politikës, studentëve apo edhe mediave për mungesën e cilësisë në arsim. Kemi matur në tre vite perceptimin e korrupsioni të studentëve, ku 73% pranonin korrupsionin”, tha Qirinxhi.
I pyetur se përse zgjodhën këtë zonë për të protestuar ai theksoi se është një zonë me qarkullim të lartë nga qytetarët, ndërsa tha se kjo ndihmon për të pajisur sa më shumë qytetarë me një diplomë që sipas kësaj organizate civile nuk ka asnjë vlerë.
Sa i përket reagimeve ai tha se impaktin e parë e kanë marrë nga qytetarët dhe mediat, duke shpresuar që edhe institucionet të kenë të njëjtin reagim./abcnews.al