Disiplina s’e merr përsipër, zbulohet plani i UEFA-s për Drita-Linfield

schedule16:34 - 12 Gusht, 2020

schedule 16:34 - 12 Gusht, 2020

Drita-Linfield nuk u zhvillua një ditë më parë, për shkak se autoritetet shtetërore në Zvicër nuk e kanë lejuar diçka të tillë. Rastet pozitive me koronavirus te kampionët e Dardanisë kanë sjellë gjithë këtë katrahurë dhe UEFA është dorëzuar para ligjeve të shtetit zviceran.

Sot ishte programuar të merrej një vendim nga Komisioni i Disiplinës së UEFA, komision që e ka çuar direkt në Apel çështjen. Ky është informacioni më i fundit që vjen nga klubi i Dritës, që ka dalë me një komunikatë në rrjetet sociale.

“Shtyhet vendimi, kalon në një instancë tjetër! Ka përfunduar mbledhja e mbajtur nga Komisioni Disiplinor për rastin e ndeshjes së anuluar të klubit tonë me ekipin e LINFILD FC. Komisioni i disiplinës, në bazë të argumenteve dhe rrethanave të krijuara për këtë takim, nuk ka mundur të vendos dhe këtë çështje e ka drejtuar në instancën e Apelit të UEFA-s.

Në vendim thuhet:“Duke pasur parasysh rrethanat urgjente të kësaj çështje, të cilat mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në drejtimin më të lehtë të Ligës së Kampionëve të 2020/21 UEFA dhe bazuar në nenin 29 (3) të Rregullores së Disiplinës të UEFA-s, dëshiroj t’ju informoj se unë kam vendosur që këtë çështje t’i drejtohem direkt Organit të Apelit të UEFA-s për një vendim”. Data e vendimit nga organet e Apelit të UEFA-së nuk është bërë e ditur”, njofton klubi nga Gjilani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!