Diplomati amerikan, “shuplakë” fitueses së Nobelit për Paqen

schedule20:08 - 25 Janar, 2018

schedule 20:08 - 25 Janar, 2018

Agresioni ushtarak ndaj pakicave në Mianmar ka bërë që Shtetet e Bashkuara të “fshikullojnë” fituesen e Nobelit për Paqen, Aung San Su Ki. Një diplomat amerikan e akuzoi lideren e vendit aziatik, se ka mbyllur sytë para dhunës.

Një diplomat amerikan në Mianmar ka braktisur një panel të thirrur nga liderja e këtij vendi mbi krizën e refugjatëve rohingia, një veprim ky që është konsideruar një shuplakë në fytyrë për fituesen e çmimit Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi. Diplomati veteran, Bill Richardson, u shpreh se paneli po mbahej vetëm “për të larë gojën”, ndërsa akuzoi Suu Kyi se nuk ka moral për të udhëhequr vendin.

Nga ana tjetër, stafi i lideres së vendit aziatik reagoi duke akuzuar Richardson se kishte ndjekur axhendën e tij personale. Mbi 650 mijë anëtarë të komunitetit rohingia, shumica e të cilëve myslimanë, u arratisën vitin e kaluar në Bangladesh për shkak të një ofensive ushtarake agresive. Aktualisht shumë prej tyre jetojnë në kampe refugjatësh në Bangladeshin fqinj, autoritetet e të cilit kanë deklaruar se do t’i kthejnë gradualisht në Mianmar brenda dy vitesh. Duke argumentuar qëndrimin e tij, Richardson theksoi se, zonja Suu Kyi kishte reaguar e irrituar kur i kishte përmendur rastin e dy gazetarëve të agjencisë “Reuters” që po gjykohen në Mianmar.

Gazetarët akuzohen për shkelje të ligjit për sekretet shtetërore teksa po punonin për të raportuar krizën e rohingiave. “Zonja Suu Kyi shpërtheu kur i përmenda gazetarët. Fytyra e saj po dridhej dhe po të kishte qenë më pranë meje do të më kishte goditur. Aq e nxehur ishte”, tregoi Richardson për “New York Times”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!