Dilemat në Gjermani/ Ulja e taksave, a do të ndikojë në rritjen ekonomike të vendit?

schedule08:16 - 8 Shkurt, 2024

schedule 08:16 - 8 Shkurt, 2024

Edhe pse koalicioni i tre partive në pushtet në Gjermaninuk është sigurisht një shembull ideal i unitetit, lideri liberal dhe ministri i Financave Christian Lindner si dhe ministri i Ekonomisë, ekologjisti Robert Habeckkanë të paktën një qëllim të përbashkët. Ata mendojnë se duhet të lehtësohen nga taksat e shumta sipërmarrësit në Gjermani, me qëllim  që të forcohet ekonomia. Qeveria po debaton për mënyrën e duhur për të arritur këtë qëllim.

Habeck foli në favor të një fondi të posaçëm investimi që do të ofronte lehtësim tatimor. Ministri i Financave Lindner nuk është pro, duke argumentuar se kjo do të nënkuptonte rritje të borxhit.

Lindner propozoi heqjen e taksës së solidaritetit për kompanitë – kjo taksë paguhet në perëndim të vendit për zhvillimin e pjesës lindore, të ish-RDGJ. Kryetarja e të Gjelbërve, Ricarda Lang, e kritikoi këtë propozim të Lindnerit, duke pretenduar se nuk kishte dëgjuar se si do të kompensoheshin fondet që do të mungonin më pas.

Dy filozofi të ndryshme

Stefan Kooths nga Instituti për Ekonominë Botërore (IfW) nga Kieli beson se këto janë dy filozofi krejtësisht të ndryshme. Sipas tij, Habeck nuk kujdeset për uljen e taksave për kompanitë në total, “por për të lidhur menjëherë menaxhimin e ekonomisë me të”. Ai duhet të formulojë saktësisht, se cilat investime specifike i nënshtrohen lehtësimit tatimor”.

Dhe sipas propozimit të Lindner, thotë Kooths, nuk ka synim për të menaxhuar flukset ekonomike, por një ulje të përgjithshme të shpenzimeve për kompanitë. Kreu i Institutit për Kërkime Ekonomike (ifo) nga Mynihu, Clemens Fuest, thotë se qeverisë gjermane i mungon një strategji ekonomiko-politike. “Ka një divergjencë të madhe mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave dhe rrjedhimisht shumë pasiguri”, thotë Feust.

Ekonomistët janë të ndarë kur bëhet fjalë për borxhet e reja. Karsten Basensky, kryeekonomist i Bankës ING beson se forcimi i ekonomisë nuk është i mundur pa huamarrje: “Kur kemi shpenzime qeveritare që arrijnë në pothuajse pesëdhjetë për qind të prodhimit të brendshëm bruto, atëherë teorikisht kam të drejtë të them, se mund të kap diçka aty-këtu.” Por realiteti politik është ndryshe, ndaj është më e thjeshtë të merren kredi të reja.

Stefan Kooths nuk mendon kështu. Ai kundërshton lehtësimin për ekonominë me kredi dhe paralajmëron se tashmë ka një konflikt për shpërndarjen e parave: “Po hyjmë në një fazë ndryshimesh demografike, të cilat fatkeqësisht sjellin me vete intensifikimin e konflikteve për shpërndarjen në Gjermani”. Kooths shton se kreditë nënkuptojnë vetëm shtyrjen e konfliktit për të ardhmen.

Çfarë mendon kancelari?

Kancelari gjerman Olaf Scholz ndërhyri në debatin mes Lindner dhe Habeck. Ai vuri në dukje se duhet përpilohet një “Akt i Mundësive të Rritjes Ekonomike”, i cili ofron stimuj tatimor për investimet dhe teknologjitë që ndihmojnë në mbrojtjen e klimës.

“Shpresoj që edhe me pëlqimin e landeve të vijë diçka nga ky projekt shumë konkret dhe praktik, i cili duhet të lehtësojë aktivitetin investues të kompanive”, tha Scholz. Aktualisht ligji ka ngecur në Komisionin e Ndërmjetësimit mes dy dhomave parlamentare. Landet e kritikojnë ligjin, sepse besojnë se ai do t’ua ngarkonte atyre shumicën e kostove. Kjo është arsyeja pse është e paqartë se kur do të miratohet ligji. Komisioni i Ndërmjetësimit do të mblidhet sërish më 21 shkurt.

Habeck ka frikë se landet mund të zvogëlojnë lehtësimin e planifikuar të ekonomisë me tetë miliardë euro: “Në fund vlera do të jetë tre miliardë, kështu që paketa po bëhet më e vogël, pothuajse homeopatike,” paralajmëroi ministri i Ekonomisë Habeck, në një paraqitje në televizionin e parë gjerman, ARD.

Gjermania po dobësohet në përmasat ndërkombëtare

Një stuhi ekonomiko-politike po shpërthen në Berlin, e cila është shkaktuar nga mosveprimi në vende të tjera. Në janar, sipas sondazheve, disponimi i biznesmenëve u përkeqësua sërish. Gjithnjë e më shumë kompani raportojnë se mungojnë porositë si në industri ashtu edhe në aktivitetet e shërbimit. Pasojat janë të parashikueshme.

Gjermania do të vazhdojë të mbetet prapa konkurrencës ndërkombëtare. Ekonomistët parashikojnë rritje më të lartë në Spanjë, Itali apo Francë sesa në Gjermani. Duket se diferenca në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë veçanërisht e madhe, sepse ekonomia atje është rritur së fundmi me tre përqind.

Taksat e ulëta nuk janë shkopi magjik

Ekonomistët janë unanim në vlerësimin e tyre se vetëm shpenzimet e ulëta tatimore nuk mjaftojnë për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë. Kooths vëren se atraktiviteti ekonomik i një vendi varet nga një sërë faktorësh. Por ai paralajmëron se Gjermanisë dalëngadalë po i mbarojnë argumentet për të bindur botën se ajo është ende një vend i mirë për biznesmenët./DW

Shënim*: Titulli i shkrimit origjinal- Gjermani: Ulni taksat dhe ekonomia do të rritet?