Dikur ish-deputet/ Bejko: Jam i zhgënjyer nga PD dhe opozita, nuk bëhet politikë në rrugë dhe me flakë

schedule11:00 - 5 Nëntor, 2024

schedule 11:00 - 5 Nëntor, 2024

Poeti i njohur, njëherazi dhe ish-deputeti i PD, Sadik Bejko ka deklaruar se ndihet i zhgënjyer nga Partia Demokratika dhe opozita.

Ai ka thënë në emisionin “Pas Mesnate” se nuk bëhet politikë në rrugë dhe me flakë.

Sipas Bejkos, jeta politike në Shqipëri aktualisht është e mangët, si ai njeriu që është vetëm me një këmbë, edhe për këtë duhet të kontribuojë dhe mazhoranca.

“Më vjen shumë keq që PD-ja është e shpërbërë siç e thonë të gjithë dhe që gati gati si politikë, deputetët e PD-së nuk i shoh në parlament, por në rrugë ose duke djegur, ose duke ndezur zjarr, ose duke hedhur shashka në parlament. Nuk është kjo rruga. Një parti politike mendon që me veprimet e saj do ta bëj për vete publikun, por nuk mendoj që kjo është rruga për ta bërë për vete publikun. Ata janë  politikanë dhe e dinë më mirë nga unë, por në këtë pikë unë jam kundër veprimeve të tyre. Ata duhet ta gjejnë vendin në parlament. E di dhe tjetrën gjë, që mazhoranca nuk po u krijon vështirësi. Di të them që opozita është pjesë e shtetit dhe pa opozitë nuk ka shtet. Mazhoranca ka për detyrë të ndihmojë vendin që të ketë opozitë.

Mendoj që jeta jonë politike në këto momente është e vështirë. Në qoftë se opozita ka humbur krerët e vetë dhe është shumë më e vështirë t’i fitosh krerët brenda 6 muajsh. Në qoftë se opozita mund të futet në këtë situatë në zgjedhje, ajo është e humbur. Kështu që jeta politike në këtë periudhë në Shqipëri është e mangët, si ai njeriu që është me një këmbë. Le t’i ketë të dyja këmbët, cila është më e forta nga ato të fitojë, por kur i mungon njëra gjymtyrë, politika është e gjymtuar. Unë nuk e di se si do shkojë jeta politikë, sepse ne kemi menduar që hë se politikë është. Por nuk e dimë që një nga profesionet më të vështira dhe që siguron prosperitetin e një vendi është politika dhe një klasë politike e mirë, profesioniste dhe e qendrueshme”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!