“Diego nuk e meritonte, iku me sekrete të mëdha”, rrëfehet vëllai i Maradonës

schedule13:37 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 13:37 - 9 Dhjetor, 2020

Diego Armando Maradona nuk jeton më, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka pasur lajme të shumta rreth tij. Nuk kanë munguar intervistat nga familjarë dhe persona të tjerë që kanë qenë afër legjendë argjentinase të futbollit. Vëllai i tij, Hugo Maradona, ka dhënë një prononcim dhe flet për bisedën telefonike me Diegon tre ditë para se të humbte jetën.

“Ai më pyeti se si isha dhe a kisha nevojë për ndonjë gjë. Më mbajti zgjuar për gati gjysmë ore për t’i treguar ndeshjet e futbollit që nuk kishte qenë në gjendje t’i shihte. Më tha se i mungonte futbolli dhe se pasi të merrte veten, për disa ditë, do t’i kthehej jetës normale. E pyeta kur do të kthehej në Itali dhe ai më tha: të shohim, mbase për Krishtlindje”.

“Ai ishte i qetë. Nëse Diego do të kishte vuajtur atë natë, ai do të kishte bërë gjithçka që unë mos ta kuptoja. Ai i tillë ishte, nuk donte të shqetësonte njeri. Jemi shtatë vëllezër dhe motra, na merrte të gjithëve në telefon, por nuk fliste për problemet e tij. Ai kurrë nuk e bëri. Kjo është arsyeja pse unë them, me dhimbje të madhe, se të vërtetën e javëve të fundit të jetës së tij vetëm ai e dinte”, rrëfen Hugo në intervistën e dhënë për Corriere della Sera.

“Hetimet? Nuk kam asnjë ide, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme kam tendencë të mos e kem. Nëse nuk është vdekje natyrore, do të shkaktojë më shumë dhimbje. Unë kam besim tek drejtësia, nëse ka një fajtor, ai do të duhet të paguajë. Vëllai im nuk e meritonte vdekjen. Ai i ndihmoi të gjithë, kurrë nuk kërkoi asgjë në këmbim dhe shumë e shfrytëzuan. Ai sigurisht bëri gabime, pa u fshehur kurrë. Pagoi një çmim shumë të lartë për këtë, duke u përballur i vetëm, çdo herë”, shtoi vëllai i Maradonës.

Në fund ai thekson se kurrë Diego nuk ka qenë i braktisur: “Ne jemi shumë të bashkuar, në emër të vlerave që prindërit tanë na përcollën. Kështu ishte Diego: ai vendoste kur dhe si ta kalonte kohën me të dashurit e tij. Gjithmonë na telefononte dhe, nëse ishte i sëmurë, pretendonte se ishte mirë. Nuk shpreh gjykime për miq, mjekë apo avokatë të ndryshëm. Diego ka marrë shumë sekrete me vete”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!