Ekonomia shqiptare vijon të mbështetet fuqishëm nga diaspora, e cila po luan një rol kyç në rritjen dhe stabilitetin financiar të vendit. E ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj theksoi se remitancat e emigrantëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së familjeve shqiptare, duke ulur vështirësitë ekonomike ndër vite.
Sipas saj, paratë që vijnë nga jashtë kanë ndihmuar gjithashtu në zhvillimin e sektorit të ndërtimit, duke mbajtur këtë industri aktive në mënyrë të qëndrueshme. Një tjetër ndikim i rëndësishëm lidhet me turizmin, pasi diaspora ka kontribuar në promovimin e Shqipërisë jashtë vendit dhe në tërheqjen e vizitorëve të huaj.
Nunaj nënvizoi se emigrantët mbeten një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare, duke sjellë çdo vit të ardhura të konsiderueshme. Madje, për më pak se një dekadë, remitancat formale kanë arritur në një nivel që përbën afro një të nëntën e buxhetit të shtetit, duke u kthyer në një ndihmë të madhe për ekonominë kombëtare.
“Diaspora është një nga arsyet kryesore, se përse ekonomia po rritet. Përmes remitancave janë zvogëluar problemet në familje. Kanë mbajtur në dekadat e fundit në mënyrë konstante të zhvilluar sektorin e ndërtimit. Vjen paraja nga jashtë Shqipërisë dhe investohet në vendin tonë. E treta është turizmi.
Janë ata që kanë folur shumë mirë për Shqipërinë dhe shumë të huaj i kanë sjellë në Shqipëri. Emigranti vijon që ta mbajë ekonominë shqiptare. Për më pak se një dekadë, të ardhurat që ata sjellin në vendin tonë, të ardhura formale, gati 1/10 e buxhetit të shtetit është një e ardhur që sjellin emigrantët. Është një ndihmë shumë e madhe”, tha ekspertja Nunaj.


