Dialogu Kosovë-Serbi, Rusia premton se nuk heq dorë

schedule16:15 - 17 Prill, 2019

schedule 16:15 - 17 Prill, 2019

Rusia ka përsëritur se do të vazhdojë të influencojë në dialogun Kosovë-Serbi dhe se do të mbështesë atë zgjidhje që së pari i shkon për shtat Beogradit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka rikonfirmuar rolin e Kremlinit në mbështetje të Serbisë në dialogun me Kosovën. Pas një takimi me ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç në Moskë, Lavrov ka theksuar se Rusia vijon t’i referohet rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit sa i takon Kosovës dhe të mbështesë integritetin territorial të Serbisë.

“Në këtë kontekst ne do të kontribuojmë në çdo mënyrë të mundshme për gjetjen e zgjidhjes. Por çfarë zgjidhjeje konkrete mund të mbështesë Rusia? Ne e kemi theksuar vazhdimisht se do të pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë. Pikë”, ka thënë Lavrov.

Nga ana tjetër, ministri serb Daçiç ka nënvizuar se në takimin me homologun Lavrov u bisedua edhe për takimin e ardhshëm mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij serb Aleksandar Vuçiç.

Takimi do të zhvillohet në kuadër të forumit “Brezi dhe Rruga”, i cili mbahet më 25 deri më 27 prill në Kinë.

“Serbia nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit pa ndihmën e Rusisë”, ka deklaruar Daçiç.

Ai ka shtuar se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa u konsultuar me Rusinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!