Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akoma nuk ka dhënë asnjë detaj në Kuvend në lidhje me takimin e kryer me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Ndërkaq nga ana tjetër opozita vijon që të kërkojë nga qeveria një platformë prezantimi për dialogun.
Ndërkohë në një përgjigje të dhënë për mediat vendase se kur do të raportojë në kuvend për një çështje të tillë, ai nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare.
“Çdo herë i gatshëm jam unë”, ka thënë shkurt Kurti nga Prizreni ku vizitoi sot panairin e shkollave profesionale
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç janë takuar në Bruksel më 15 qershor, ndonëse nuk pati ndonjë zhvillim nga kjo, ndërmjetësuesit e BE-së e kanë quajtur si zhvillim pozitiv rifillimin e bisedimeve.
Kurti në këtë takim ka prezantuar katër pika.
Propozimi i parë i Kurtit thotë se “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në”.
Propozimi i dytë nga kryeministri Kurti është që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.
“Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, thuhet në propozimin e dytë.
Në propozimin e tretë, pas njohjes së ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë Kurti tha se të dyja vendet do të kenë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave.
“Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, ka nënvizuar Kurti në pikën e tretë.
Ndërsa në pikën e fundit të propozuar nga Kurti, është përmendur çështja e të pagjeturve.
Kurti ka sqaruar se nga këto propozime, propozimi i parë i tij nuk ka marrë përgjigje, ndërsa tri propozime tjera janë refuzuar./abcnews.al