Dialogu Kosovë-Serbi, analisti: Nuk ka vend për lojëra, procesi është zhbllokuar

schedule16:36 - 24 Janar, 2023

schedule 16:36 - 24 Janar, 2023

Analisti Ridvan Berisha në emisionin “Ballkan Update” komentoi zhvillimet më të fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Presidenti serb, Vuçiç ka paralajmëruar qytetarët e Serbisë se është vënë para dy alternativash, ose të pranojë planin franko-gjerman ose do të vendosen sanksione.

Sakaq, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar se asociacioni i komunave me shumice serbe, ka vdekur, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se 23 nenet e kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku lidhur me deklaratën e Gërvallës, analisti theksoi se nuk ka asgjë të konfirmuar. “Nuk mendoj sepse trajektorja ka ndryshuar me përfshirjen e SHBA, nën garancat e tyre, palëve nuk u kanë lënë vend për lojëra të rrezikshme që të minohet një pritje që ka bashkësia kombëtare për t’i dhënë fund një konflikti të ngrirë.

Përsa i përket deklaratës së Vuçiç, ai tha:

“Janë miliarda euro investime që kanë krijuar vende pune. Përtej narracionit nacionalist, doktrinës së vjetër serbe, duket se kanë rënë dakord që të shkojnë drejt një trajektoreje që nuk ka kthim pas: ose të njohin realitetin ose kthimin prapa me sanksione që mund ta rraskapitin shumë Serbinë.“, u shpreh analisti.

Ai u shpreh se lajmi i mirë është që procesi është zhbllokuar. Sipas tij, çështja e asociacionit nuk duhet të përdoret për qëllime elektorale.

“Statuti i asociacionit është duke u përgatitur në selinë e ambasadës amerikane sepse pala kosovare, lidershipi në pushtet, për beteja ordinere pushteti nuk arrin dot që të binin dakord që ta bëjë Kosova statutin e asociacionit. Dhe në mënyrë që të mos bëhet referencë e kauzave elektorale, atëherë ka vendosur që ta marrë nën drejtim këtë proces, të ulë palët.”, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!