Dialogu/ Gazetari nga Kosova: Lajçak dhe Borrell po mbajnë anën e Serbisë

schedule16:29 - 9 Maj, 2023

schedule 16:29 - 9 Maj, 2023

Kosova dhe Serbia vijojnë përpjekjet për normalizimin e raporteve mes tyre edhe pse deri tani janë mbajtur shumë takime, por pak rezultate. Gazetari Ridvan Berisha thotë për “Balkan Update” se kryeministri Kurti nuk kishte arsye pse të befasohej nga përmbajtja e draftstatutit, që prezantoi Ekipi Menaxhues.

Sipas tij, ky ekip menaxhues nuk ka pranuar t’i japë llogari qeverisë dhe për pasojë nuk kishte pse të surprizohej për përmbajtjen e statutit, që në thelb shkon kundër interesit të Kosovës.

“Çudia është se si ka pranuar kryeministri i Kosovës të shkojë në Bruksel, dhe atje të befasohet nga ekipi menaxhues për përgatitjen e draftstatutin e Asociacioni. Nëse ky ekip ka refuzuar ftesat për të informuar shefin e qeverisë, atëherë si është e mundur të befasohet për përmbajtjen e atij drafti”, theksoi Berisha.

Ai tha se përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian Borrell-Lajçak duket se po mbajnë anën e Serbisë.

“Në takimin e Brukselin nuk ka paraqitur draftstatut, por një vizion dhe kishte aluduar tek modeli kroat. Kemi si me thënë polarizim nga të dyja anët, po ashtu kemi dhe nervozizëm, por edhe ndërmjetësit e dialogut po mbajnë anën e Serbisë. Më vjen keq ta them se Borrell dhe Lajçak nuk duhet të pranonin një ekip menaxhues aty, i cili nuk e përfaqëson republikën e Kosovës. Formalisht e përfaqëson, por ky ekipi ka refuzuar ftesën e qeverisë që të informonte përmbajtjen e draftstatutit”, tha ai.

Gazetari shtoi se në të ardhmen priten shumë takime për drafstatutin e Asociacionit, një hap ky, i cili do të kalojë në shumë filtra.

“Procesi për statutin e asociacionit ka nisur. Dokumenti i parë i prezantuar u mor parasysh siç tha Lajçak. Do kemi disa versione, disa takime, edhe këtë muaj takime të llojit teknik për të parë nëse ka shanse që kryeministrat të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të firmosën një dokument. Nuk pres që palët që të dakordohen mbi dokumentin që quhet dokument i draftstatutin e Asociacionit, sepse ky dokument do t’i nënshtrohet kontrollit të legalistëve”, tha Berisha./n.m. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!