Situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por me potencial për tensione të reja.
Kështu e përshkruan gjendjen e sigurisë Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash.
“Ne nuk kemi parë përsëritje të dhunës, siç kemi parë më 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës.”
Deklarata e tij u bë gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë në NATO në Bruksel në mes të kësaj jave
Por Ulutash gjatë takimit në Bruksel nënvizoi atë që do ishte zgjidhja përfundimtare e problemeve me serbët: dialogu. Sipas tij diksutimet politike janë të nevojshme urgjentisht.
“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e raporteve. Në fund, stabiliteti varet kur të gjitha palët zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, nuk është ushtarake.”
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, më 2023, fillimisht në maj, kur serbët lokalë kundërshtuan nisjen e punës të kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri, të cilët u zgjodhën pasi serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet lokale.
Ato kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.
Ndërsa dialogu mes dy vendeve ka nisur që në 2011 nën ndërmjetësimin e BE.
Megjithatë, takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023./abcnews.al


