Angel Di Maria zgjati bashkëpunimin për një tjetër vit me PSG-në më datë 12 mars, teksa dy ditë më pas gruaja e tij pësoi një tmerr të madh. Argjentinasi ndodhej në fushë duke luajtur kundër Nantes. Gjatë ndeshjes, duke e ditur që lojtari ofensiv po luante, disa hajdutë u futën t’i grabisin shtëpinë.
Lojtari u zëvendësua menjëherë, iu komunikua se çfarë kishte ndodhur, ndërsa familjarët ndodheshin mirë, edhe pse të tronditur. “Gruaja ime po e merr veten, ndihet më mirë tani. Ka qenë e lënduar për disa ditë, por është normale. Nuk është e thjeshtë të marrësh veten pas përjetimeve të tilla.
Gjithsesi, unë ndihem i lumtur, pasi familja ime ndodhet për mrekulli. E adhuroj Parisin, është një qytet i jashtëzakonshëm, i gjithi i bukur. Afeksioni që marr nga njerëzit është fantastik. Ëndrra ime? Dua të fitoj Champions League me PSG“, deklaron për BeIN Sports lojtari latin.
Në fund një koment edhe për Leo Messin, dhe dëshirën e madhe për ta pasur shok skuadre te kampionët e Francës. “Të shohim se çfarë do të ndodhë në verë. Flas shpesh me Leon, i them gjithmonë që rëndësi ka të jetë i lumtur ai dhe familja e tij.
Sigurisht që do të ishte e mrekullueshme ta kisha shok skuadres këtu te PSG, por ai është lojtar i Barcelonës për momentin. Ndodhet nën kontratë me ta, e kam të vështirë të shtoj tjetër gjë“, deklaroi 33-vjeçari nga Rosario. /abcnews.al