Prokuroria e Tiranës, po verifikon kushtet e arrestimit, të 21 militantëve të Partisë Demokratike, të cilët u përfshinë në akte dhune duke hedhur bomba molotovi dhe sende të forta në drejtim të policisë së shtetit, gjatë protestës së 10 shkurtit.
Për 4 të mitur, të cilët janë mes të arrestuarve përfaqësuese e organit të akuzës do të jetë prokurorja Vitjuna Mata, ndërsa për të tjerët do të jenë dy prokuroret Blerta Hamza dhe Odeta Todorushi, të cilat do ti drejtohen gjykatës ditën e premte, me kërkesë për masat e sigurisë.
Ndërkohë për 4 deputetët, Flamur Noka, Klevis Balliu, Luan Baçi dhe Belind Këlliçi të cilët kanë udhëhequr militantët në përplasjen me efektivët te Kuvendi, pavarësisht se policia I ka referuar në Prokurorinë e Tiranës, kjo e fundit pritet që t’i përcjelle për çështje kompetence në SPAK, ashtu siç parashikohet në ligj për deputetët.
Disa prej protestuesve, që janë të arrestuar, janë proceduar penalisht edhe më parë , pasi rezulton se janë të përfshirë në akte dhune në protestat e kaluar të Partisë Demokratike.
Mbi 21 protestuesit e arrestuar, janë referuar 6 vepra të rënda penale, plagosje të rëndë me dashje, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkelje e rregullave për lëndët djegëse, shkatërrim i pronës me zjarr dhe kundërshtim i policisë.


