Ankesa e dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja për dëmet që i shkaktonte në banesa gurorja në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të deputetit të PS, Rrahman Rraja në Borizanë të Krujës, “revoltoi” pronarët të cilët si fis dhunojnë barbarisht me shkopa gome e bejsbolli dy shtetasit që në ato momente ishin duke pirë kafe.
Djali i deputetit në reagimin e parë të policisë nuk ishte një nga dhunuesit. Tre dhunuesit sipas policisë në atë njoftim ishin, Xhelal, Ineid dhe Klajdi Rraja.
Këtë fakt e vuri në dukje më parë edhe gazetarja e ABC News, Etleva Delia e cila ishte e ftuar në “Special Report”.
“Djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, duket në video. Ajo që më bën përshtypje është se në njoftimin e policisë nuk rezulton asnjë inicial i këtij personi, që të paktën në video shihet se kryen veprime aktive, pra është dhunues. Njëkohësisht nuk ka asnjë akuzë për armëmbajtje pa leje, ndërsa në video janë dy persona që mbajnë armë. Por ka diçka, dje është shoqëruar një nga vëllezërit e deputetiT Rraja dhe më pas është lënë i lirë dhe pasi janë publikuar pamjet e dhunës në media, ai është shpallur sërish në kërkim dhe bëhet fjalë për personin, i cili shfaqet në video me pistoletë. Ata janë njerëzit më problematikë dhe gjithmonë janë fshehur pas mbrojtjes që kanë pasur nga policia lokale dhe gjithmonë nuk iu ka hyrë asgjë në këmbë. Policia duhet të parandalojë këto ngjarje dhe duhet të veprojë”, shtoi gazetarja.
Më parë për këtë ngjarje, policia kishte ndaluar 4 persona dhe shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Njoftimi i policisë:
Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.r.t/abcnews.al